

Grykëderdhja e lumit Ishëm, një ndër zonat më të veçanta të bregdetit shqiptar, është sot një nga pikat më të ndotura të vendit. Midis Kepit të Rodonit dhe lagunës së Patokut, pamjet nga terreni tregojnë një realitet tronditës: mbeturina plastike, veshje, mbetje urbane dhe kimikate kanë pushtuar çdo cep të brigjeve, duke e kthyer këtë zonë të dikurshme të bukur në një depo gjigande plehrash.
Në mesin e ndotjes, tufa lopësh kullosin mbi mbeturina, ndërsa banorët lokalë shprehen të dëshpëruar për shkatërrimin e një zone që dikur ishte destinacion i preferuar për banorët e rrethinës.
“Laheshim në lumë, ishte i pastër. Tani s’ka më as peshk, as jetë”, – tregon Qemal Jangu, banor i vjetër i zonës.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, lumi Ishëm klasifikohet në kategorinë më të ulët të cilësisë së ujit – “Gjendje e keqe”. Ujërat e zeza dhe mbeturinat e patrajtuara që vijnë nga Tirana, Kamza, Vora dhe Fushë-Kruja përfundojnë në shtratin e lumit, duke e bërë ndotjen pothuajse të pakthyeshme.
Një investim prej 2 milionë eurosh i vitit 2019 për impiantin e pastrimit të mbeturinave mbi lumin Ishëm, sipas hetimit të “Inside Story”, nuk ka funksionuar asnjë ditë. Ministria e Mjedisit nuk ka dhënë ende një përgjigje mbi shkaqet e dështimit të këtij projekti.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo nismë pastrimi është e kotë pa ndërhyrje në burim.
“Ndotja nuk mund të zgjidhet në grykëderdhje. Duhet të nisë nga rrjedha e sipërme, përndryshe situata përsëritet”, – shprehet ekspertja e mjedisit Flora Xhemani Babani.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






