

Tiranë – Drejtoria e Interpolit në Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Romën, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke bërë të mundur ekstradimin nga Italia në Shqipëri të shtetasit Erind Lasku.
Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në prill 2025, kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Hetimet kanë treguar se Lasku kishte koordinaruar pastrimin e të ardhurave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike nga një grup kriminal që vepronte në Durrës.
Raportimet më herët në maj në media sugjerojnë se Erind Lasku rezulton se është i martuar me mbesën e Xhevdet Troplinit dhe shihej si personazhi kyç që bashkëpunonte me të gjithë shoqëritë e transportit të udhëtarëve dhe vinin 100 milionë lekë në javë nga Italia përmes shoqërive të transportit.
Pas bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, u arrit lokalizimi dhe më pas ekstradimi i tij drejt vendit tonë, ku do të përballet me drejtësinë shqiptare.
Operacioni “The Wanted” vijon si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të Interpol Tiranës me partnerët ndërkombëtarë për gjetjen, arrestimin dhe ekstradimin e personave të kërkuar për krime të rënda, me synim forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






