

Tiranë, 29 tetor — Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Recalling UNSCR 1325 & 2242: Women, Youth and Local Security Councils as Key Actors in Shaping Community Safety and Preventing Violent Extremism”, e zhvilluar në kuadër të 25-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Gjatë fjalës së tij, Proda tha se përfshirja dhe fuqizimi i grave në strukturat e Policisë së Shtetit përbën jo vetëm një detyrim institucional, por një investim për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.
“Fuqizimi i grave në polici nuk është vetëm çështje barazie gjinore, por një investim në cilësinë e shërbimit që i ofrojmë qytetarëve. Ato janë shembull i kurajos, i integritetit dhe i aftësisë për të balancuar forcën me humanizmin, vendosmërinë me ndjeshmërinë – cilësi këto që përbëjnë themelin e një policie moderne dhe qytetare,” deklaroi Proda.
Ai nënvizoi se Policia e Shtetit ka miratuar politika që nxisin përfshirjen e grave jo vetëm në funksione administrative, por edhe në sektorët operativë dhe në nivele drejtuese. Sipas tij, proceset e hapura të konkurrimit kanë bërë të mundur ngritjen në detyrë të shumë grave dhe vajzave në role drejtuese, si shefe sektori, komisare, drejtuese drejtorish apo koordinatore rajonale.
Proda tha edhe se besimi i publikut në uniformën e Policisë është një nga sfidat kryesore të institucionit, dhe kontributi i punonjëseve gra është thelbësor në forcimin e këtij besimi dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive me komunitetin.
Ai bëri të ditur se Policia e Shtetit po bashkëpunon ngushtë me Shoqatën e Grave në Policinë Shqiptare, me organizatat e shoqërisë civile dhe me qendrat e specializuara për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke përfshirë të rinjtë, prindërit dhe komunitetet vendore në nisma sensibilizuese dhe edukative.
Në përfundim të fjalës së tij, Proda tha se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në zbatimin e Planit Kombëtar për Agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, duke mbështetur nisma që forcojnë rolin e grave në polici përmes trajnimeve, programeve të zhvillimit të karrierës dhe përfshirjes aktive në fushat operacionale, hetimore dhe drejtuese.
“E ardhmja e Policisë së Shtetit është gjithëpërfshirëse. Ne duam që çdo grua dhe vajzë që zgjedh këtë profesion të ketë hapësirën për t’u rritur, për të kontribuar dhe për të udhëhequr,” përfundoi Proda. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






