

Operacioni “The van” – Zbulohet bazë armësh në Tiranë, arrestohet 34-vjeçari Eugert Sino
Tiranë – Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, përmes Sektorit të Krimeve të Rënda dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, finalizoi sot operacionin policor të koduar “The van”, që çoi në zbulimin e një arsenali armësh të dyshuara të trafikuara.
Gjatë operacionit, policia arrestoi shtetasin Eugert Sino, 34 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Hetimet nisën pas informacioneve operative për një person që posedonte armë në sasi të konsiderueshme. Pas ndjekjes dhe kontrollit të një furgoni në rrugën “Myslym Shyri”, u zbulua një arsenal i plotë armësh dhe pajisjesh të paligjshme.
Çfarë u sekuestrua:
12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
6 armë automatike;
5 armë me tytë të gjatë dhe shënjestër optike (snajperë);
1 silenciator;
17 krehra me municion luftarak;
15 000 fishekë;
17 kuti me pranga të ngjashme me ato të Policisë;
12 celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë;
Pajisje elektronike gjurmuese (GPS) dhe për bllokimin e valëve;
Pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Policia po vijon hetimet për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë, si dhe për të përcaktuar qëllimin e mbajtjes së këtij arsenali dhe të pajisjeve të sekuestruara.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprimet e mëtejshme procedurale, nën akuzat për:
“Trafikim i armëve dhe municionit”,
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit." /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






