Transmetuar më 28-10-2025, 22:59

Berat – Vrau me thikë 42-vjeçarin pas një konflikti për motive të dobëta, kapet pas 4 orësh ndjekjeje 63-vjeçari i dënuar më parë për vrasje

Një krim i rëndë tronditi qytetin e Beratit pasditen e sotme, ku një 42-vjeçar humbi jetën pas një konflikti të çastit me një 63-vjeçar. Pas katër orësh kërkimesh intensive, shërbimet e Policisë bënë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 15:10, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit, shtetasi Kristo Mema, alias Kastriot Hoxha, 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin Keli Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë. Viktima humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.

Pas ngjarjes, autori u largua nga vendi i krimit, ndërsa Policia e Beratit, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë, organizoi një operacion të gjerë kërkimi në të gjithë zonën e Kalasë dhe përreth saj. Pas kontrolleve intensive, autori u lokalizua në afërsi të Tabjes dhe u arrestua pa rezistencë.

Raportohet se 63-vjeçari, u gjet i fshehur tek “Shpella e Memecit” (Eremitëve), pranë kishës përballe “Urës së Goricës”.

Nga verifikimet e Policisë rezulton se 63-vjeçari është i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja”. Ai është dërguar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Beratit për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit