Transmetuar më 28-10-2025, 22:28

28 Tetor, 2025

TIRANE – Kombëtarja shqiptare e vajzave ka arritur një fitore të madhe në ndeshjen e dytë play-out ndaj Qipros, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 në Arenën Kombëtare duke siguruar kështu qëndrimin në Ligën B të UEFA Nations League.

Trajneri Armir Grima hodhi në fushë këtë formacion: Antigoni Hyska (GK), Arbiona Bajraktari, Ilarja Zarka, Klea Hamonikaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Alma Hilaj, Megi Doçi (C), Qëndresa Krasniqi, Mesuare Begallo dhe Valentina Troka.

Shqipëria e nisi ndeshjen mjaft mirë, ndryshe nga takimi i parë në Qipro, duke dominuar që në minutat e para dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme. Goli i parë erdhi në minutën e 16-të, kur pas një pasimi të saktë nga kapitenia Megi Doçi, Qëndresa Krasniqi dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Shqipërinë në avantazh 1-0.

Në minutën e 29-të, Megi Doçi pati një tjetër mundësi të artë për të dyfishuar rezultatin, por tentativa e saj u devijua nga portierja kundërshtare në këndore.

Shqipëria gjeti golin e dytë në minutën e 38-të me Mesuare Begallon, e cila përfitoi nga një kros perfekt i Megi Doçit dhe e çoi topin në rrjetë për 2-0. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e merituar të vajzave tona, 2-0.

Në pjesën e dytë, Shqipëria vazhdoi të dominojë. Kapitenia Megi Doçi vulosi fitoren në minutën e 66-të, duke ekzekutuar me saktësi një 11-metërsh për rezultatin 3-0. Vajzat kuqezi krijuan edhe disa mundësi të tjera, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit