Transmetuar më 28-10-2025, 20:25

TIRANË, 28 tetor 2025 – Një ditë e përgjakshme ka tronditur sot Shqipërinë, ku brenda pak orësh u regjistruan katër ngjarje të rënda kriminale – një atentat me tritol dhe tre vrasje në Shkodër, Durrës, Tiranë dhe Berat. Kjo e martë e zezë ka lënë pas viktima, panik dhe pasiguri në mbarë vendin.

Atentati me tritol në Shkodër Një shpërthim tritoli tronditi lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër, pasi një kallup eksplozivi i ishte vendosur në makinën e punonjësit të Tatimeve, Enea Busukja. Ngjarja ndodhi në momentin që 38-vjeçari hyri në automjet dhe ndezi motorin, duke shkaktuar shpërthimin e fuqishëm. Fatmirësisht, Busukja mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. Policia po heton pistat e atentatit dhe po verifikon kamerat e sigurisë në zonë.

Vrasja në Durrës – djali vret babain me thikë Në fshatin Shkallnur të Durrësit, një ngjarje tragjike familjare përfundoi me vrasjen e 69-vjeçarit Pjetër Kodheli nga i biri, Marjan Kodheli, 25 vjeç. Sipas burimeve, i riu – që vuante nga probleme të shëndetit mendor – e goditi babain me thikë pas një debati në banesë. Viktima ndërroi jetë gjatë transportit për në spital, ndërsa autori u arrestua disa orë më vonë në një lokal në pronësi të motrës së tij. Fqinjët thanë se 25-vjeçari kishte shfaqur sjellje agresive pas humbjes së nënës.

Vrasja në Tiranë – picieri ther kuzhinierin në lokal Vetëm pak orë më pas, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Në ambientet e restorantit “City Lounge”, picieri Filip Shehu, 42 vjeç, goditi me thikë kolegun e tij, kuzhinierin Indrit Ismaillari, 34 vjeç, pas një debati të ashpër. Viktima u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Autori është arrestuar dhe ka deklaruar se kishte konflikte të vazhdueshme me kolegun, duke pretenduar se ishte bullizuar nga ai.

Vrasja në Berat – 42-vjeçari qëllohet për një foto me kalin Ndërkohë, në kalanë e Beratit, një konflikt banal për një foto me një kalë u kthye në tragjedi. 63-vjeçari Kristo Mema goditi për vdekje me thikë 42-vjeçarin Keli Hoxha, nga Tirana, në sy të familjes së tij. Viktima kishte shkuar për turizëm me bashkëshorten, nënën dhe dy fëmijët e vegjël, kur autori i kërkoi para për një foto që ai i kishte bërë kalit të Memës. Pas një përplasjeje fizike, 63-vjeçari nxori thikën dhe e goditi disa herë në trup, duke e lënë të vdekur. Mema, i dënuar më parë për vrasje në Greqi, është ende në arrati, ndërsa policia po kontrollon zonën për kapjen e tij.

Kjo seri ngjarjesh brenda një dite ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer debatin mbi rritjen e dhunës, armëmbajtjes dhe shkatërrimit të sigurisë publike në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit