Transmetuar më 28-10-2025, 19:30

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka urdhëruar të martën ushtrinë e tij të kryejë sulme “të fuqishme” në Rripin e Gazës, pasi e akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Pak minuta më vonë, Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe vende të tjera – njoftoi se do ta vononte dorëzimin e kufomës së një pengu tjetër, duke e akuzuar Izraelin për “shkelje të armëpushimit”.

“Pas konsultimeve rreth sigurisë, kryeministri Netanyahu udhëzoi ushtrinë që menjëherë të kryejë sulme të fuqishme në Rripin e Gazës”, tha zyra e Netanyahut pa dhënë hollësi të tjera.

Hamasi kishte njoftuar më herët se do ta dorëzonte trupin e një pengu tjetër të martën, pas trysnisë së shtuar nga Izraeli, i cili e akuzoi grupin palestinez se të hënën kishte kthyer vetëm mbetjet e pjesshme të trupit të një pengu të rikuperuar më parë.

“Ne do ta shtyjmë dorëzimin që ishte planifikuar për sot për shkak të shkeljeve nga okupatori”, tha krahu i armatosur i Hamasit në një deklaratë, duke shtuar se çdo “përshkallëzim izraelit do të pengojë kërkimin, gërmimin dhe rikuperimin e trupave”.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – i ndërmjetësuar nga SHBA – hyri në fuqi më 10 tetor, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.

Mediat izraelite raportuan më herët për një shkëmbim zjarri midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Hamasi nguli këmbë se po i zbaton kushtet e armëpushimit dhe e akuzoi kryeministrin Netanyahu se po kërkon të gjejë arsyetime për t’u tërhequr nga detyrimet e Izraelit.

Sipas kushteve të armëpushimit, Hamasi liroi të gjitha pengjet e gjalla në këmbim të gati 2.000 të dënuarve dhe të ndaluarve palestinezë gjatë luftës, ndërsa Izraeli tërhoqi trupat e tij dhe ndaloi ofensivën.

Hamasi është pajtuar gjithashtu t’i dorëzojë trupat e të gjitha pengjeve të vdekura që ende nuk janë gjetur, por ka thënë se procesi do të kërkojë kohë për të lokalizuar dhe rikuperuar trupat në enklavën e shkatërruar nga lufta dyvjeçare

Izraeli, nga ana e tij, pretendon se grupi militant e di ku ndodhen mbetjet mortore të shumicës së pengjeve.

Plani prej 20 pikash, i prezantuar nga Trumpi, po ashtu parasheh çarmatosjen e Hamasit, kërkesë e parashtruar edhe më herët nga Izraeli, por që nuk ishte pranuar nga grupi palestinez.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë./ REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit