

Raporti ndërkombëtar akuzon institucionet shtetërore për përndjekje politike ndaj Erion Veliaj dhe vlerëson se Kryetari i Bashkisë së Tiranës detyrohet të qëndrojë në burg pa akuza konkrete
Dy prej zyrave më të njohura ligjore ndërkombëtare, Kasowitz LLP dhe Mishcon de Reya, kanë publikuar më 28 tetor 2025 një raport të detajuar me titull “Raporti mbi përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetar i Bashkisë së Tiranës”. Dokumenti analizon rastin e ndalimit dhe hetimit ndaj Veliajt nga SPAK, duke e cilësuar atë si politikisht të motivuar dhe në shkelje të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Çfarë përmban raporti
Sipas dokumentit, SPAK ka ndaluar kryetarin e Bashkisë së Tiranës më 10 shkurt 2025, duke u mbështetur në një denoncim anonim të bërë në korrik 2023.
Raporti thekson se hetimi është kryer pa prova konkrete dhe pa asnjë akuzë të qartë në momentin e ndalimit, duke e cilësuar këtë si një “rast tipik të përndjekjes politike ndaj një figure publike”.
Po sipas raportit, gjatë hetimit disa persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje janë liruar, ndërsa vetëm Veliaj është mbajtur në burg, gjë që sipas autorëve “ngre dyshime serioze për trajtim të pabarabartë dhe qëllime politike pas procesit”.
Shkeljet e pretenduara
Raporti evidenton disa pika që, sipas autorëve, cenojnë rëndë parimet e shtetit të së drejtës:
mungesë e një baze të qartë ligjore për arrestimin e tij;
përdorim selektiv i masave të sigurimit personal;
ndërhyrje të aktorëve politikë në sistemin e drejtësisë;
shkelje të të drejtës për mbrojtje dhe të drejtës për proces të rregullt ligjor.
Po ashtu, dokumenti përmend vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës më 23 shtator 2025, i cili miratoi shkarkimin e Veliajt nga detyra, me arsyetimin se ai kishte munguar për më shumë se tre muaj. Raporti thekson se “kjo mungesë ishte e detyruar nga paraburgimi i paligjshëm”, ndaj shkarkimi konsiderohet i pavlefshëm dhe politikisht i motivuar.
Qëndrimi i autorëve të raportit
Në përfundimet e tij, raporti i Kasowitz LLP dhe Mishcon de Reya nënvizon se “rasti Veliaj” është një sinjal alarmi për pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, pasi tregon se strukturat e reja antikorrupsion “mund të përdoren si armë për eliminimin politik të kundërshtarëve”.
Sipas tyre, mënyra se si është trajtuar Veliaj shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet që garantojnë lirinë personale, të drejtën për gjykim të drejtë dhe pjesëmarrjen në jetën publike.
Dy firmat ligjore rekomandojnë rishikimin urgjent të masës së sigurisë ndaj Veliajt, hetim të pavarur mbi procedurat e ndjekura nga SPAK dhe monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor.
Raporti përfundon me një mesazh të qartë: “Përdorimi i drejtësisë për qëllime politike rrezikon të minojë përfundimisht besimin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë tek reforma në drejtësi.”
Kasowitz dhe Mishcon de Reya publikojnë raportin: PERSEKUTIMI POLITIK I ERION VELIAJ
Kasowitz LLP (Nju Jork) dhe Mishcon de Reya LLP (Londër) njoftuan sot publikimin e një Raporti të përditësuar për kreun e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me titull “Raport lidhur me përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës.”
Ky raport përditëson “Raportin lidhur me ndalimin e padrejtë nga SPAK të një Kryetari Bashkie të zgjedhur në mënyrë demokratike në kryeqytetin e Shqipërisë: Erion Veliaj”, të cilin studiot ligjore e kishin publikuar më 24 qershor 2025.
Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas raportit, në harkun e tetë muajve, ngjarje kyçe kanë krijuar përshtypjen e pamohueshme se hetimi penal ndaj Veliajt nga SPAK-u nuk është një hetim i zakonshëm.
Kryebashkiaku Veliaj mbahet në paraburgim që prej muajit shkurt, pavarësisht faktit se ai nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut, apo rrezik për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet.
Sipas raportit, fakti që kryebashkiakut Veliaj iu mohua lirimi me kusht – ndërkohë që 17 nga të pandehurit e tjerë, të akuzuar në të njëjtën çështje u lanë të lirë me kushte minimale – ilustron pabarazinë e theksuar në mënyrën si është trajtuar ai nga autoritetet shqiptare.
Për më tepër, Raporti i Përditësuar Veliaj vëren se zhvillimet e fundit politike kanë shtuar shqetësimin se çështja e kryebashkiakut Veliaj është një përndjekje politike e hartuar për t’a hequr atë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, nga posti i fituar në mënyrë të rregullt si Kryetar i Bashkisë.
Në shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës – duke cituar paraburgimin e pavullnetshëm të kryebashkiakut Veliaj – e shkarkoi atë nga detyra. Siç vë në dukje raporti, ky vendim, i pasuar nga një njoftim i Presidentit të Republikës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për të zëvendësuar kryebashkiakun Veliaj, krijoi përshtypjen se paraburgimi i pajustifikuar i kryebashkiakut Veliaj ka shërbyer si pretekst mbi të cilin autoritetet shqiptare të përpiqen t’a largojnë në mënyrë antikushtetuese nga detyra dhe t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes.
Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar, për momentin, çdo veprim të tillë deri sa të vendoset mbi ankimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili kundërshton vendimin e Këshillit Bashkiak, Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton pasojat e kësaj krize kushtetuese. Një nga vëzhgimet e raportit është se çështja e kryebashkiakut Veliaj përbën një shembull të qartë ku vihet në pikëpyetje angazhimi i Shqipërisë ndaj procesit të rregullt ligjor. Sipas raportit, manovrat e fundit politike të ndërmarra për ta larguar nga detyra kanë cenuar prezumimin e pafajësisë, që kryebashkiakut Veliaj i takon, dhe e kanë privuar atë nga liria dhe detyra – të gjitha këto, përpara se gjyqi i tij të nisë.
Një kopje e Raportit të Përditësuar Veliaj është e disponueshme këtu. Çdo kërkesë informacioni duhet t’i drejtohet Shannon O’Reilly (soreilly@kasowitz).
Ekipi i Kasowitz përfshin partnerët Daniel J. Fetterman dhe Brian S. Choi në Nju Jork, si dhe këshilltaren e lartë Clarine Nardi Riddle dhe këshilltarin e posaçëm David Miller në Uashington, D.C.
Ekipi i Mishcon de Reya përfshin partnerët James Libson dhe Ben Brandon, menaxheren e asociuar Celia Marr, dhe bashkëpunëtoret Grace Houghton dhe Elizabeth Fitton.
https://www.kasowitz.com/media/dx3jwfvb/report-of-kasowitz-llp-and-mischon-de-reya-regarding-the-political-persecution-of-erion-veliaj-mayor-of-tirana-10282025.pdf
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






