Transmetuar më 28-10-2025, 15:55

SPAK godet korrupsionin në sistemin e drejtësisë – gjashtë të pandehur për ndikim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për procedimin penal nr. 177/1 të vitit 2025, që ngarkon me akuza gjashtë shtetas të dyshuar për korrupsion aktiv dhe ndikim të paligjshëm në drejtësi.

Të pandehurit janë:

Musa Gjikola

Klodjan Muça

Sokol Masha

Erjon Dani

Emiljano (alias Millan) Roçi

Vilson Roçi

SPAK i akuzon ata për konsumimin e elementëve të veprave penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal (sipas ndryshimeve të ligjit nr. 144/2013). Për të pandehurin Erjon Dani, është ngritur edhe akuza shtesë e “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Tre episode të ndryshme korrupsioni

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta korrupsioni, në të cilat kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësi për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë. Qëllimi, sipas SPAK, ka qenë ndikimi në caktimin e masave të sigurisë personale dhe favorizimi në vendimet gjyqësore për disa të arrestuar.

Ish-zyrtar policie akuzohet për shpërdorim detyre

Hetimet kanë provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën, duke shpërndarë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS te persona të tretë.

Komunikime të enkriptuara për koordinimin e veprimeve

SPAK bën me dije se grupi ka bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare. Këto komunikime janë përdorur si prova për të dokumentuar mënyrën e bashkëveprimit dhe përfitimit të paligjshëm të shumave monetare.

Hetim i ndarë nga një dosje më e gjerë kriminale

Ky procedim penal është ndarë nga dosja nr. 177 e vitit 2023, në kuadër të së cilës vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal". /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit