

Dy kushërinjtë Gazment dhe Kalosh Peposhi janë dërguar për gjykim pasi dyshohet se blinin vota për PSD në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ata do të përballen me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se dy kushërinjtë Peposhi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë premtuar dhe dhënë para zgjedhësve në njësinë Administrative Ujmisht në Kukës në këmbim të votës për PSD-në e Tom Doshit. Prokuroria e Posaçme thotë se ka përgjime telefonike dhe vëzhgiimë që faktojnë se dy kushërinjtë blenë vota për PSD-në.
Njoftimi i SPAK
SPAK dërgon për gjykim 2 të pandehur për korrupsion aktiv në zgjedhje në Qarkun Kukës. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe në datë 28.10.2025, ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 83 të vitit 2025, në ngarkim të dy të pandehurve:
Kalosh Peposhi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”; Gazmend Peposhi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, në mungesë. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në ngarkim të shtetasve te mësipërm të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore), ka rezultuar se të pandehurit Gazmend Peposhi dhe Kalosh Peposhi janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në rrethin e Kukësit, gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u kanë premtuar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Njësisë Administrative Ujmisht, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik “Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”.
Hetimi ka evidentuar se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare ndaj zgjedhësve për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






