Transmetuar më 28-10-2025, 09:07

27 Tetor 2025 Tirana renditet ndër gjashtë qytetet më të shtrenjta në Europë për përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti, sipas të dhënave më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo për gjysmën e parë të vitit 2025.

Sipas raportit, duhen rreth 18 vite pune për të blerë një apartament në kryeqytet, një shifër që është rritur me afro tre vite krahasuar me vitin e kaluar. Me këtë tregues, Tirana tejkalon Milanon, duke u pozicionuar më lart në renditjen europiane për çmimin ndaj fuqisë blerëse.

Në listën botërore, Tirana zë vendin e 37-të, ndërsa në Europë vendin e 6-të. Qytetet që qëndrojnë përpara janë Londra (19.2 vite), Lisbona (19.8 vite) dhe Spliti në Kroaci (18 vite). Pas Tiranës renditen Beogradi (16.6 vite) dhe Parisi (15.3 vite).

Sipas Deloitte Property Index 2025, ku Shqipëria është përfshirë për herë të parë, çmimi mesatar i apartamenteve në vend ka arritur në 1,620 euro për metër katror, me një rritje vjetore prej 16.6%, një nga më të lartat në Europë pas Polonisë. Në Tiranë, çmimet mesatare kanë arritur 2,000 euro/m², ndërsa në qendër të qytetit (ish-Blloku, Sheshi “Skënderbej”) ato kapin vlera prej 3,000–3,500 euro/m².

Ekspertët e tregut theksojnë se rritja e shpejtë e çmimeve në krahasim me të ardhurat mesatare ka bërë që blerja e një prone të bëhet gjithnjë e më e vështirë për familjet e reja, duke reflektuar sfidat e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

Në nivel botëror, qyteti më i shtrenjtë për blerjen e një apartamenti mbetet Xiamen në Kinë, ku duhen më shumë se 40 vite pune për ta përballuar një banesë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit