

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka ekzekutuar masat e sigurisë me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndaj 3 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit”, e kryer në bashkëpunim, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Konkretisht:
Inspektor Hysen Duka, me detyrë në kohën e kryerjes së veprën penale, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan, aktualisht me detyrë Trupë Shërbimi i Ruajtjes e Sigurisë së Objektit, në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë Gjadër, pranë DVP-Lezhë.
Inspektor Gëzim Duka, me detyrë në kohën e kryerjes së veprën penale, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan, aktualisht me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës.
Inspektor Ervin Shimplaku, me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban pranë DVP-Elbasan.
“Ekzekutimi i masave të sigurisë u bë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale, ka rezultuar se punonjësit e policisë në bashkëpunim me shtetasin F. D., (i arrestuar me datë 23.03.2025), kanë vënë në dispozicion ambientet bar-kafe në pronësi të tyre me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Ndërsa punonjësi i policisë E. SH., duke vepruar në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, me qëllim kërkimin e të dhënave të mjeteve për llogari të personave të tretë”, bëhet me dije në njoftim të AMP.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






