

Një operacion i përbashkët mes Departamentit të Narkotikëve të Janinës dhe Policisë së Konicës ka çuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge në kufirin shqiptaro-grek.
Sipas autoriteteve greke, në orët e para të mëngjesit janë kapur plot 193 kilogramë e 212 gramë marijuanë, të ndara në 125 pako, të fshehura në një automjet me targa të huaja.
Shoferi i mjetit, duke kuptuar praninë e policisë, tentoi të shmangte kontrollin duke bërë një kthesë të menjëhershme dhe duke rritur shpejtësinë. Gjatë ndjekjes, ai humbi kontrollin e makinës, e cila devijoi dhe ndaloi.
Më pas, drejtuesi u largua me vrap, duke përfituar nga errësira dhe terreni i pyllëzuar i zonës, duke arritur të shpëtojë përkohësisht nga kapja.
Automjeti u sekuestrua nga autoritetet, ndërsa hetimet për identitetin e drejtuesit janë në vijim nga Departamenti i Narkotikëve dhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Epirit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






