

27 Tetor 2025
Tiranë- Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga janari i vitit 2026, në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit do të përfshihen edhe djemtë 13-vjeçarë për vaksinimin kundër virusit HPV (Human Papilloma Virus).
Ky është një hap i rëndësishëm në zgjerimin e mbrojtjes shëndetësore ndaj infeksioneve që shkaktojnë kancer gjenital dhe sëmundje të tjera të lidhura me HPV-në. Deri më sot, vaksina është aplikuar vetëm te vajzat, ndërsa gjatë pesë viteve të fundit afro 45,000 vajza të moshës 13–20 vjeç janë vaksinuar, prej të cilave 10,000 vetëm gjatë këtij viti.
Sipas mjekes Rovena Daja, HPV përfshin mbi 150 lloje viruse, ku disa janë të padëmshëm, por të tjerë mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore si lythat gjenitalë apo kanceri i qafës së mitrës.
“Virusi është po aq i rrezikshëm edhe për meshkujt, pasi ata janë shpesh bartës dhe transmetues të infeksionit”, theksoi Daja.
Vaksina kundër HPV-së do të vazhdojë të ofrohet falas në çdo qendër shëndetësore, si pjesë e kalendrit kombëtar të vaksinimit, për të gjithë fëmijët që mbushin 13 vjeç gjatë vitit 2026.
Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se vaksinimi në moshë të hershme mbetet mënyra më e sigurt për të parandaluar infeksionet me HPV dhe sëmundjet që lidhen me të, si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





