

Rusia ka kryer testimin e një rakete të re lundrimi me kapacitet bërthamor, që sipas presidentit Vladimir Putin është e aftë të shmangë çdo sistem mbrojtjeje ekzistues.
Në një video të publikuar nga Kremlini, Putin shfaqet me uniformë ushtarake, ndërsa merr raportim nga gjenerali Valery Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, për raketën “Burevestnik”, e njohur nga NATO me emrin “Skyfall”.
Ky test i fundit është pjesë e një serie provash të gjata për këtë armë, e cila shihet si pjesë e strategjisë së Moskës për të dërguar një mesazh bërthamor ndaj Perëndimit, në një kohë kur Rusia refuzon çdo presion për armëpushim.
Pak detaje janë bërë publike për “Burevestnik”-un, ndërsa ekspertët perëndimorë kanë shprehur dyshime për sigurinë e saj, duke theksuar se përdorimi i një motori bërthamor e bën raketën shumë të rrezikshme dhe të pasigurt për vetë operatorët e saj.
Shtetet e Bashkuara dhe ish-Bashkimi Sovjetik kishin zhvilluar eksperimente të ngjashme gjatë Luftës së Ftohtë, por projektet u ndërprenë për shkak të rrezikut të lartë dhe ndotjes radioaktive.
Putin e kishte prezantuar për herë të parë këtë armë në vitin 2018, duke pretenduar se “Burevestnik” ka rreze veprimi praktikisht të pakufizuar dhe mund të lëvizë nëpër glob duke shmangur çdo sistem të mbrojtjes kundërraketore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





