Transmetuar më 27-10-2025, 11:36

Në Parlament, ndodhet që prej fillimit të seancës plenare, edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili pritet të ketë raportimin e fundit pasi brenda vitit i mbaron mandati.

Dumani pritet të raportojë për punën e institucionit që ende drejton, gjatë vitit 2024. Zyrtarisht Dumani nuk është i detyruar të flasë për punën e vitit në vazhdim, 2025, pasi është thirrur vetëm për raportin e 2024, por pas 20 minutash të fjalës së tij, është parashikuar një debat 150 minutësh, ku pyetjet e deputetëve mund të nxjerrin në seancë patatet e nxehta më të fundit, mes tyre, thirrjen në SPAK të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Deri tani në këtë seancë po mungojnë kryeministri Edi Rama dhe krahu i djathtë i tij, Belinda Balluku.

Mungesa e tyre në sallë u perceptua nga opozita, sidomos nga kreu Sali Berisha, si shenjë e mungesës së përfshirjes institucionale në proceset e llogaridhënies publike, sidomos në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) raporton në Parlament, mund të pyetet për këtë lajm të bujshëm të cilin më herët dje, z.Rama e komentoi me diplomaci.

Ndërsa mediat raportuan se Balluku është objekt hetimi nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderë, Kryeministri Rama, i cili gjendej në Berlin në momentin e reagimit, u shpreh: “Nuk komentoj – drejtësia të bëjë punën e vet.”

Nga raporti i SPAK për 2024

SPAK regjistroi 186 hetime për korrupsion në vitin 2024 – një ulje e lehtë nga 214 në vitin 2023.

Nga këto, 139 çështje janë përfunduar gjatë vitit 2024, nga 150 në vitin paraprak.

Në nivelin e zyrtarëve të lartë publikë janë regjistruar 33 raste hetimi, nga të cilat 19 (52.9 %) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim.

Raporti shënon se numri i çështjeve të përfunduara mbetet relativisht i lartë, çka tregon për një kapacitet hetimor që vazhdon të jetë aktiv. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit