

Prishtinë- Një ngjarje e rëndë ka tronditur sistemin e drejtësisë në Kosovë. Prokurori Beqë Shala, i cili ushtronte detyrën në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Aksioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Sipas njoftimit zyrtar nga Sistemi Prokurorial i Kosovës, Shala është prangosur në vendin e punës, ndërsa ndaj tij rëndon dyshimi për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Njoftimi i plotë:
Arrestohet një i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”
Prishtinë, 27 Tetor 2025 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës.
Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





