

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur të dielën se fluturimet që niseshin drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Los Anxhelosit (LAX) u ndaluan përkohësisht, për shkak të mungesës së personelit në një nga qendrat e trafikut ajror në Kaliforninë Jugore.
Situata e ngjashme është raportuar edhe në aeroporte të tjera kryesore të SHBA-së, si Çikago, Uashington dhe Njuark, ku vonesat janë lidhur me mungesë stafi.
FAA urdhëroi një ndalesë të përkohshme në LAX, një nga aeroportet më të ngarkuara në botë, pak pasi Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, paralajmëroi se në ditët në vijim udhëtarët mund të përballen me më shumë fluturime të vonuara apo të anuluara, pasi kontrollorët e trafikut po punojnë pa pagesë për shkak të mbylljes së qeverisë federale.
Gjatë një interviste për “Sunday Morning Futures” në Fox News, Duffy tha se gjithnjë e më shumë kontrollorë po njoftojnë mungesë për arsye shëndetësore, duke theksuar stresin që po shkakton pasiguria financiare. “Vetëm dje kemi pasur 22 raportime të reja për mungesa — një nga shifrat më të larta që prej fillimit të mbylljes. Është shenjë se sistemi po lodhet,” deklaroi ai.
Sipas FAA-së, ndalesa për fluturimet që niseshin drejt Los Anxhelosit hyri në fuqi në orën 11:42 të paradites (me orën lindore) dhe u hoq në orën 13:30. Ndërkohë, sipas faqes së monitorimit të fluturimeve FlightAware, aeroportet Dallas Fort Worth dhe Dallas Love Field regjistruan përqindje të lartë të mbërritjeve me vonesë për shkak të motit dhe problemeve teknike.
Autoritetet njoftuan se mungesa e kontrollorëve ka ndikuar gjithashtu në operacionet e ngritjes dhe uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Newark Liberty dhe Aeroportin Teteboro në Nju Xhersi, si dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Floridës Jugperëndimore në Fort Myers.
Në orët e mbrëmjes së së dielës, FAA raportoi se ishte e detyruar të ngadalësonte trafikun edhe në Aeroportin Kombëtar Ronald Reagan të Uashingtonit dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Çikagos O’Hare për shkak të mungesës së stafit të kontrollorëve të trafikut ajror.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





