

Berlin, 25 Tetor 2025 — Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhëniet me homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti, si dhe për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian, gjatë një interviste për “Deutsche Welle”.
Rama u shpreh se pavarësisht marrëdhënieve miqësore personale, mes tij dhe Kurtit ekzistojnë dallime të pashmangshme në qëndrimet politike dhe mënyrën e të menduarit. “Me Albinin kam një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por kemi dallime të pashmangshme në këndvështrime, dhe këto dallime i ndajmë hapur e drejtpërdrejt. Megjithatë, në aspektin e bashkëpunimit ndërshtetëror kemi bërë përparim të madh dhe po punojmë së bashku për projekte strategjike, si hekurudha Durrës–Prishtinë,” deklaroi Rama.
Sa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri shqiptar theksoi se Prishtina duhet të përmbushë detyrimet e saj përpara se përgjegjësia të kalojë tek Beogradi. “Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë, të përmbushë në mënyrë unilaterale kërkesat e dialogut dhe t’i tregojë Evropës se është pala që i ka përmbushur të gjitha. Pastaj le ta marrin firmën e Serbisë. Vetëm kështu Kosova do të ecë përpara si shtet plotësisht i pavarur,” tha Rama.
Në lidhje me integrimin europian, ai nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së Gjermanisë dhe bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Europian. “Gjermania ka qenë dhe mbetet një partner strategjik në rrugën tonë drejt BE-së. Kemi një kalendar të qartë për përmbushjen e detyrave deri në vitin 2027 dhe synojmë që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim brenda vitit 2030,” u shpreh Rama, duke theksuar se ky afat nuk është një dëshirë politike, por një objektiv i bazuar në progres konkret.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





