

Kryeministri Edi Rama zbulon kalendarin e ri të negociatave me Bashkimin Europian, duke theksuar se synimi është mbyllja e detyrave të anëtarësimit brenda vitit 2027. Ai pranon se rruga mbetet sfiduese dhe BE është “e paparashikueshme”.
Tiranë, 25 tetor 2025 — Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se Shqipëria dhe Bashkimi Europian kanë rënë dakord për një kalendar konkret pune në procesin e anëtarësimit, me objektivin për të mbyllur të gjitha kapitujt negociues deri në vitin 2027.
“Kemi rënë dakord për një kalendar. Kjo nënkupton që për të gjitha detyrat e shtëpisë që duhet të bëjmë për të arritur anëtarësimin me të drejta të plota, duhet të vazhdojmë nga tani deri në 2027 dhe t’i mbyllim kapitujt. Është sfidë, por nëse ecim në përputhje me kalendarin, atëherë ana e tyre e marrëveshjes është se do t’i quajnë negociatat të mbyllura dhe do t’i kërkojnë shteteve anëtare ratifikimin,” tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, sipas kësaj marrëveshjeje, Shqipëria mund të arrijë anëtarësimin e plotë në vitin 2030, nëse çdo gjë ecën sipas planit.
Duke komentuar situatën politike brenda Bashkimit Europian, Rama përdori një metaforë të fortë për të përshkruar vështirësinë e vendimmarrjes kolektive brenda Unionit:
“BE nuk është një bishë e parashikueshme. Është një asamble 27-ëshe, një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë, dhe kjo e ndërlikon gjithçka,” u shpreh ai, duke shtuar se pozita më e mirë është të qëndrohet “tragjikisht optimist”.
Kryeministri theksoi se agresioni rus dhe ndryshimet gjeopolitike globale kanë ushtruar presion të madh mbi BE-në, duke e bërë atë më të përqendruar dhe më të kujdesshme në proceset e zgjerimit.
“Ndikimi i trysnive të mëdha ndërkombëtare e bën BE-në të përqendruar në stabilitetin e brendshëm. Kështu që duhet durim dhe këmbëngulje,” përfundoi Rama.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





