

Një inspektor i Patrullës së Përgjithshme në Vlorë është arrestuar në kushtet e flagrancës nga kolegët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pas një telefonate në sallën operative që raportonte sjellje të papërshtatshme nga ana e tij.
Sipas informacionit zyrtar nga AMP, mbrëmjen e kaluar një shtetas njoftoi se dy punonjës policie e kishin ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u prezantuar me sjellje jo etike. Pas verifikimit të situatës, inspektori H. I. u testua me matësin e alkoolit, ku rezultoi me një masë prej 0.82 mg/l, për të cilën u ndërmor arrestimi në flagrancë.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor H. I., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshmë në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pas telefonatës së një shtetasi në sallën operative mbrëmjen e djeshme, i cili pretendon se dy punonjës policie e kanë ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u prezantuar me një sjellje jo etike. Pas verifikimit me testin matës së alkoolit, punonjësi H. I., ka rezultuar pozitiv në masën 0.82 mg/l. Ndaj punonjësit të policisë E. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, do të vijojë procesi i hetimit disiplinor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





