

24 Tetor 2025
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë miratimin që gjenerali i njohur Wesley Clark të dëshmojë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë. Lajmi është konfirmuar nga ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës.
Sipas avokatit Luka Mishetiç, Clark ka marrë autorizimin zyrtar për të dëshmuar në mbrojtje të Thaçit dhe pritet të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes. Ai nuk mund të udhëtojë drejt Hagës përpara datës 17 nëntor, ndaj dëshmia e tij pritet të zhvillohet më 18 ose 19 nëntor.
Mbrojtja ka kërkuar që trupi gjykues të caktojë edhe datën 21 nëntor si seancë shtesë në rast nevoje për finalizimin e dëshmisë së Clark, si dhe ka kërkuar shtimin e deklaratës së tij në listën e provave.
Gjenerali amerikan do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s në zbatimin e marrëveshjes së tetorit 1998 midis Richard Holbrooke dhe Sllobodan Millosheviçit, si dhe për dhunën e ndodhur pas kthimit të refugjatëve kosovarë në verën e vitit 1999.
Në parashtrimin e dorëzuar thuhet se Clark do të sqarojë ndërveprimet e tij me UÇK-në, delegacionin kosovar në Rambuje dhe në veçanti me Hashim Thaçin, për të cilin ai ka deklaruar se “nuk kishte kontroll mbi UÇK-në”. Sipas tij, Thaçi ishte një figurë politike pa përvojë ushtarake dhe nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet e të tjerëve.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, përballë akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





