Transmetuar më 24-10-2025, 16:08

Rama: “Paqja Fiskale” do të nisë vitin e ardhshëm – Malaj: Synojmë rritje të qëndrueshme ekonomike

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria është e vendosur të finalizojë “Paqen Fiskale” brenda këtij viti, për të nisur zbatimin e saj në fillim të vitit të ardhshëm.

> “Është shumë e rëndësishme që ‘Paqja Fiskale’ të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti, në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Kam shumë besim se nëse konceptohet dhe planifikohet siç duhet, do të jetë një mesazh pozitiv për sipërmarrjen dhe do të rrisë të ardhurat për buxhetin e shtetit,” – theksoi Rama, duke nënvizuar se ulja e informalitetit dhe rritja e performancës fiskale mbeten qëllimet kryesore të qeverisë.

Nga ana e tij, Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se objektivi i ekzekutivit është të sigurojë një trajektore të re zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, përmes politikave të balancuara dhe reformave të thella.

> “Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz. Përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë,” – deklaroi Malaj.

Iniciativa e “Paqes Fiskale” pritet të përfshijë masa që lehtësojnë barrën tatimore, nxisin formalizimin e biznesit dhe rrisin efikasitetin në administratën fiskale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit