

Shkodër – Operacioni “Hunters”, arrestohen 5 persona për gjueti të paligjshme dhe armëmbajtje pa leje
Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Hunters”, në kuadër të planit të masave për parandalimin e rasteve të gjuetisë së paligjshme dhe goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me mbajtjen pa leje të armëve.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në orët e natës në fshatin Rragam, efektivët e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë ndaluar një automjet, në të cilin udhëtonin pesë shtetas që po kryenin gjueti në kundërshtim me moratoriumin. Në momentin e ndalimit, policia u gjeti në mjet armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak, një dron dhe një shpend të vrarë.
Gjatë vijimit të operacionit, në banesën e njërit prej të ndaluarve, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar si cannabis. Pas përfundimit të veprimeve hetimore, në pranga u vunë pesë persona, të gjithë banues në Shkodër: Simon Simoni, Elvis Filipi, Edinjo Mjeda, Kleand Dako dhe Vilson Ndoja.
Policia ka bërë të ditur se materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj të arrestuarve janë ngritur akuzat për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municionit”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Dëmtim të specieve të mbrojtura të faunës së egër” dhe “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se kontrollet në zonat malore dhe rurale të qarkut do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim parandalimin e gjuetisë së paligjshme dhe forcimin e sigurisë publike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





