

Tiranë, 23 Tetor 2025
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka deklaruar publikisht se Ervis Martinaj, ish-bosi i njohur i lojërave të fatit dhe një nga figurat më të përfolura të botës së krimit në Shqipëri, është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur pa lënë gjurmë. Duke folur në emisionin “Opinion”, Hoxha tha se zhdukja e Martinajt nuk është një mister i zakonshëm, por rezultat i një aleance të heshtur të krijuar midis disa grupeve rivale kriminale që u bashkuan për një qëllim të vetëm: eliminimin e tij.
“Kanë kaluar më shumë se tre vite pa asnjë kontakt. Komunikimi i fundit me familjarët ka qenë më 9 gusht. Që nga ajo ditë, asnjë shenjë jete. Versioni më i besueshëm është se ai është rrëmbyer, vrarë dhe kufoma është zhdukur”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, pas vrasjes së Martinajt u krijua një ekuilibër i ri brenda botës së nëndheshme, ku dikur dominonte ai vetë. “Nga ajo ngjarje e deri sot, vendin e kontrollon një tjetër aleancë. Martinaj ishte ai që modernizoi mënyrën si funksiononte krimi në Shqipëri,” shtoi ai.
Gazetari theksoi gjithashtu se Martinaj, i cili ishte baba i katër fëmijëve dhe me arsim në ekonomi-biznes, nuk vinte fillimisht nga bota e krimit, por gradualisht u përfshi në struktura që e kthyen në një figurë të fuqishme dhe më pas në një armik publik. “Në momentin që ndjeu rrezikun, Martinaj bleu vila shumë pranë rezidencës së Ramës, vetëm 10 apo 15 metra larg në vijë ajrore. Por as kjo nuk e shpëtoi,” tha Hoxha.
Në përfundim, ai deklaroi me bindje se historia e Martinajt ka marrë fund: “Ervis Martinaj është eliminuar dhe kufoma e tij është zhdukur. Në Shqipëri mund t’i fshihesh kujtdo, por jo miqve apo armiqve të tu. Aleanca që e vrau ishte e formuar pikërisht nga ata që dikur e kishin kundërshtar.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





