Transmetuar më 23-10-2025, 14:47

Tiranë – Arrestohet 35-vjeçari që shiste produkte bujqësore të skaduara: finalizohet operacioni “Expiration”

Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), ka finalizuar operacionin policor të koduar “Expiration”, që kishte në fokus parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore e bujqësore me afat të skaduar.

Si rezultat i hetimeve, u arrestua shtetasi E. D., 35 vjeç, banues në fshatin Krutje të Lushnjes, i cili dyshohet se tregtonte produkte bujqësore për mbrojtjen e bimëve me afate skadence të manipuluara.

Gjatë kontrollit në një magazinë në Fushë Krujë, policia dhe inspektorët e AKU-së gjetën një sasi të konsiderueshme produktesh bujqësore, të cilave i ishte shtyrë në mënyrë të paligjshme afati i përdorimit me një vit më shumë se ai i miratuar nga Ministria e Bujqësisë. Në produktet origjinale afati i përdorimit ishte 2 vjet nga viti i prodhimit, ndërsa 35-vjeçari kishte vendosur etiketa të reja që tregonin 3 vjet.

Po ashtu, u sekuestruan qindra etiketa me ngjitje, ku ishte ndryshuar data e skadencës së produkteve bujqësore, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në procesin hetimor.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për vijimin e hetimeve në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të shtetasit të arrestuar. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit