

Tiranë, 23 Tetor 2025
Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një ultimatum të qartë për të gjitha bashkitë e vendit, duke kërkuar ngritjen urgjente të një “Task Force” që do të përgatisë dhe dorëzojë hartat ekonomike brenda muajit tetor.
Gjatë një takimi me përfaqësues të pushtetit vendor, Rama theksoi se 500 subjektet e para që do të nënshkruajnë kontratat për zhvillim ekonomik nuk do të paguajnë asnjë lloj takse për 10 vitet e ardhshme. Ai nënvizoi se bashkitë duhet të jenë aktive dhe të ndihmojnë bizneset për t’u përfshirë në këtë proces.
“Duhet të ngrini një Task Force. 500 të parët që do marrin kontratën, për 10 vjet nuk do paguajnë asnjë lloj takse. Por duhet t’i ndihmoni që të jenë te 500 të parët. Duhet t’i rrini në gatishmëri,” deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se bashkitë nuk mund të kufizohen vetëm në mbledhjen e taksave, por duhet të luajnë një rol aktiv në gjenerimin e të ardhurave përmes zhvillimit ekonomik lokal. Ai përmendi disa bashki, si Memaliaj dhe Fushë-Arrëzi, të cilat sipas tij nuk kanë dorëzuar ende hartat e kërkuara.
“Si majtas, si djathtas, flejnë gjumë. Zgjohuni nga gjumi, brenda muajit tetor të vijnë hartat,” shtoi Rama me tone të forta.
Sipas qeverisë, nisma synon të nxisë rritjen ekonomike në nivel vendor dhe të përmirësojë bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe atij qendror në projektet e zhvillimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





