Transmetuar më 23-10-2025, 12:26

Tiranë- OSBE/ODIHR publikoi sot raportin e plotë lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në dokument theksohet se Partia Socialiste përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke krijuar një avantazh të padrejtë për kandidatët në detyrë.

Presion ndaj nëpunësve dhe votuesve

Raporti evidenton presion të ushtruar ndaj nënpunësve të administratës publike, si dhe raste intimidimi ndaj mbështetësve të opozitës dhe votuesve në përgjithësi. Kjo krijoi një mjedis ku mundësitë e barabarta për të gjithë kandidatët u cenuan.

Kushtet dhe menaxhimi i procesit zgjedhor

Pavarësisht sfidave, administrata zgjedhore menaxhoi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Votimi jashtë vendit, i realizuar për herë të parë, u zhvillua me disa probleme organizative, por u menaxhua mirë. Problematika ligjore dhe mediatike

Legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga autoritetet nuk parandaluan praktikat abuzive. Për më tepër, përqendrimi i pronësisë së mediave dhe autocensura e gazetarëve ndikuan në kufizimin e pluralizmit mediatik dhe informimit të zgjedhësve.

Pjesë nga raporti i OSBE/ODIHR

“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi patën mundësinë të bëjnë fushatë lirshëm, megjithëse disa raportuan se u përballën me intimidim.

Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Votimi jashtë vendit, i realizuar për herë të parë në këto zgjedhje, u menaxhua mirë, pavarësisht dakordësimit politik dhe miratimit të vonë të kësaj mase, si dhe disa problemeve organizative.

Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë për kandidatët që ishin ndërkohë në detyrë.

Gjithashtu, pati shumë akuza për presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike.

Për më tepër, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk parandaluan praktikat abuzive.

Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralitetin e burimeve të lajmeve, së bashku me autocensurën mes gazetarëve dhe dominimin e mbulimit mediatik nga dy partitë më të mëdha, kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të bërë një zgjedhje të informuar.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit