

23 Tetor 2025, 10:41
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në provincën e Bolonjës, ku një aksident automobilistik i mori jetën një 7-vjeçari me origjinë shqiptare, ndërsa babai i tij mbeti i plagosur.
Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur një Volkswagen Corrado, që drejtohej nga një shtetas shqiptar, është përplasur me Renault Clio-n e drejtuar nga një 20-vjeçar italian. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe humbje jete.
Hetimet paraprake sugjerojnë se një nga automjetet mund të ketë kaluar në korsinë e kundërt, për të shmangur një motociklist që po kthehej drejt një stacioni karburanti. Për pasojë, automjetet janë përplasur me intensitet të lartë.
Fatkeqësisht, fëmija humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa babai i tij dhe drejtuesi i makinës tjetër u dërguan me urgjencë në spital. Burime të policisë rrugore bëjnë me dije se i mituri ndodhej në sediljen e pasme dhe nuk kishte të vendosur rripin e sigurimit.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit dhe për të verifikuar nëse është respektuar shpejtësia dhe sinjalistika rrugore në momentin e përplasjes.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin shqiptar në zonën e Bolonjës, ndërsa mediat vendase e kanë cilësuar aksidentin si një tjetër “sinjal alarmi” për rritjen e kujdesit në rrugët lokale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





