Transmetuar më 23-10-2025, 10:02

Durrës – Zbardhet dinamika e plotë e përplasjes së armatosur në Manzë, ku humbën jetën dy të rinj. Arrestime dhe persona në kërkim pas hetimeve të thelluara

Hetimet e thelluara të Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë zbardhur dinamikën e konfliktit për motive të dobëta, i ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Manzë, ku më 22 tetor 2025 mbetën të vrarë me armë zjarri dy të rinj, Flori Paluçi, 33 vjeç, dhe Aranit Kurti, 23 vjeç.

Në përfundim të veprimeve hetimore, janë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” katër persona të përfshirë në ngjarje: Erald Cani, 25 vjeç; Ergi Kadiu, 21 vjeç; Taulant Beqja, 37 vjeç; dhe Emirjan Beqja, 34 vjeç, të gjithë banues në Manzë.

Sakaq, autoritetet kanë shpallur në kërkim dy persona:

Daniel Pepa, 21 vjeç, banues në Manzë, i dyshuar si autor i njërës prej vrasjeve, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”;

Gëzim Allçi, 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas njoftimit zyrtar, Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe është konfliktuar verbalisht me kamerierin dhe me shtetasin Flori Paluçi, i cili ndodhej aty i shoqëruar nga disa persona, mes tyre i arrestuari Erald Cani. Pas përplasjes verbale, Pepa është larguar me automjet, por është kthyer pas pak minutash, shoqëruar nga Ergi Kadiu dhe Aranit Kurti. Gjatë tentativës së tyre për të hyrë në lokal, Flori Paluçi ka dalë jashtë dhe dyshohet se ka qëlluar fillimisht në tokë me armë zjarri.

Në atë moment, Daniel Pepa ka qëlluar në drejtim të Paluçit, duke e plagosur, ndërsa Paluçi ka hapur zjarr në drejtim të Pepës dhe Aranit Kurtit, që sipas hetimeve dyshohet se e kishte goditur me grusht. Si pasojë e përplasjes me armë, të dy të rinjtë, Flori Paluçi dhe Aranit Kurti, kanë ndërruar jetë në vend.

Më tej, dyshohet se Gëzim Allçi është larguar nga vendngjarja bashkë me Daniel Pepën, i cili vijon të jetë në arrati.

Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit të përfshirë, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e të shpallurve në kërkim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit