

Durrës – Hetimet e thelluara zbardhin dinamikën e konfliktit për motive të dobëta, ndodhur në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, si pasojë e të cilit u vranë me armë zjarri, 2 djem në moshë të re.
Policia e Durrësit njoftoi sot se janë arrestuar për moskallëzim të krimit, 4 të rinj të përfshirë në konflikt. Noa.al konfirmon se u arrestuan Ergi Kadiu, Erald Cani, Taulant Beqja dhe Emirjan Beqja.
Sakaq është identifikuar dhe shpallur në kërkim personi që dyshohet se është larguar nga vendngjarja, bashkë me shtetasin Daniel Pepa, (autor i dyshuar i njërës prej vrasjeve).
"Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të implikuar në konfliktin për motive të dobëta, të ndodhur rreth orës 01:25 të datës 22.10.2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit Flori Paluçi 33 vjeç dhe Aranit Kurti 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit: Erald Cani, 25 vjeç, 25 vjeç dhe Ergi Kadiu, 21 vjeç, si dhe Taulant Beqja, 37 vjeç dhe Emirjan Beqja, 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim, shtetasit: -Daniel Pepa, 21 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; -Gëzim Allçi, 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi Daniel Pepa, ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani). Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi Flori Paluçi i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë.
Në këtë moment Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit Flori Paluçi të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti(që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin Flori Paluçi. Si pasojë u vranë shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin Daniel Pepa.
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit F. P., shtetasin D. P., si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim Gëzim Allçi.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





