

22 Tetor 2025, 23:55
Evropa po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve klimatike, ndërsa Greqia është ndër vendet më të prekura nga temperaturat ekstreme dhe mungesa e reshjeve. Pamjet satelitore të fundit tregojnë se Liqeni Mornos, burimi kryesor që furnizon Athinën me ujë të pijshëm, po tkurret me shpejtësi alarmante.
Sipas të dhënave të Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA), pamjet e misionit Copernicus Sentinel-2 zbulojnë një rënie dramatike të sipërfaqes së liqenit: nga 19,1 kilometra katrorë në vitin 2022, në vetëm 8,7 kilometra katrorë në shtator 2025.
Paralajmërimi i ekspertëve
“Këto shifra janë shqetësuese dhe tregojnë për një krizë të vërtetë uji,” tha Konstantinos Lagouvardos, drejtor kërkimesh në Observatorin Kombëtar të Athinës dhe drejtues i njësisë Meteo, për gazetën Kathimerini. “Sipërfaqja e liqenit gjatë tre viteve të fundit ka ngritur kambana alarmi,” shtoi ai.
Në disa zona, brigjet e liqenit janë tërhequr disa qindra metra, duke ekspozuar tokë të thatë dhe plasaritur – një pamje që dëshmon për ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe thatësirës së zgjatur në rajon.

Vetëm 2.5 vite ujë të mbetur
Gjatë një seminari mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujit në Athinë, Harry Sachinidis, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë shtetërore të ujësjellësit EYDAP, paralajmëroi se Greqia mund të ketë rezerva uji vetëm për 2.5 vitet e ardhshme, nëse trendi aktual nuk ndryshon.
“Këtë vit, të gjithë u lutëm për shi dhe borë, por kjo nuk ndodhi,” tha Sachinidis. “Nëse thatësira vazhdon me këtë ritëm edhe për dy vite të tjera, do të duhet të gjejmë burime të reja uji për Athinën.”
Kriza që mund të përhapet në rajon
Ekspertët paralajmërojnë se situata në Greqi është tregues i një krize më të gjerë ujore në Mesdhe, ku vendet e rajonit po përballen me ulje të rezervave ujore dhe rritje të kërkesës gjatë verërave të nxehta. Ndërkohë, autoritetet greke po shqyrtojnë projekte për riciklim dhe desalinim të ujit të detit, ndërsa qytetarët u bëhet thirrje të përdorin ujin me kursim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





