

TIRANË – 23 Tetor 2025
Qeveria shqiptare ka ndryshuar për të tretën herë këtë vit buxhetin e shtetit, duke ulur sërish fondet për arsimin dhe shëndetësinë, ndërsa ka rritur ndjeshëm financimet për infrastrukturën.
Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i Ministrisë së Arsimit është shkurtuar me rreth 851 milionë lekë, ose 1% më pak krahasuar me qershorin. Në raport me buxhetin fillestar të vitit 2025, ulja arrin në afro 1 miliard lekë – rreth 10 milionë euro – që përfaqëson një reduktim prej 1.6%.
Këto shkurtime vijnë në një moment kur sistemi arsimor shqiptar përballet me mungesë investimesh në mjedise mësimore, staf pedagogjik dhe programe bashkëkohore studimi, në një kohë kur kërkesa për arsim cilësor po rritet ndjeshëm.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka pësuar ulje të buxhetit, megjithëse në një përqindje më të vogël. Ndryshimet e fundit kanë reduktuar 336 milionë lekë, ose rreth 3.4 milionë euro, duke treguar mungesën e një politike të qëndrueshme në sektorin shëndetësor, ku kërkesat për shërbime janë gjithnjë në rritje. Në raport me buxhetin fillestar, fondet për shëndetësinë janë tkurrur me 0.5%.
Në të kundërt, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës rezulton përfituesja më e madhe nga rishikimi buxhetor, me një rritje prej mbi 6.1 miliardë lekësh – rreth 60 milionë euro më shumë. Kjo përfaqëson një rritje prej 9% krahasuar me ndryshimet e qershorit dhe 1.6% më shumë se buxheti fillestar, duke konfirmuar prioritetin e qeverisë për të përshpejtuar investimet në projekte infrastrukturore.
Edhe Ministria e Bujqësisë ka përfituar një rritje modeste prej 331 mijë eurosh, ose rreth 2%, që reflekton një mbështetje të kufizuar për sektorin rural, pa ndikim të dukshëm në prodhim apo zhvillim.
Në tërësi, të dhënat tregojnë një prirje të vazhdueshme të nënfinancimit të shërbimeve sociale, ndërkohë që fondet po përqendrohen në investime infrastrukturore. Ekspertët paralajmërojnë se kjo qasje mund të thellojë pabarazitë sociale dhe të ngadalësojë afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian.
Vendet e zhvilluara dallohen për investimet e larta në arsim, shëndetësi dhe kapital njerëzor – sektorë që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Në të kundërt, reduktimi i investimeve në këto fusha përkthehet në kosto sociale, ulje të produktivitetit dhe rënie të cilësisë së jetës.
Rezultatet e fundit të testimit ndërkombëtar PISA kanë treguar përkeqësim të dukshëm në cilësinë e arsimit shqiptar, pavarësisht se numri i nxënësve është ulur dhe kapacitetet financiare për çdo nxënës janë më të larta. Analistët theksojnë se, megjithëse investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme, neglizhimi i kapitalit njerëzor mund të pengojë zhvillimin dhe integrimin europian të vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





