

Në këtë ngjarje humbën jetën Flori Paluçi 33 vjeç dhe Aranit Kurti, 23 vjeç, raporton noa.al. Flori është vrarë nga 21 vjeçari Daniel Pepa banues në Manëz, ndërsa Araniti dyshohet se është vrarë nga Flori
Detaje të reja dolën sonte nga hetimi mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi më herët sot në orët e para të ditës në Manzë, Durrës.
Pas qitjes me armë zjarri mes të rinjve, dy prej tyre, Flori Paluçi dhe Aranit Kurti u plagosën rëndë. Ata u transportuan për në spital, por ndërkohë policia nuk u njoftua, raportohet të jetë pjesë e shqyrtimit hetimor ky dyshim.
Sipas të dhënave, të plagosurit që vdiqën u dërguan në spital ndërkohë që policia gjatë këtij harku kohor nuk ishte njoftuar. Policia u njoftua pasi të plagosurit ishin transportuar në spital.
Një tjetër fakt i ri është se një nga armët e krimit, ajo e Florit, nuk është gjetur.
Hetimi sugjeron se janë prishur provat e krimit. Vendngjarja është prekur dhe elementë që mund të përbënin bazë hetimi, dyshohet se janë shmangur deri në mbërritjen e policisë.
Sipas hetimeve, dinamika e krimit ka qenë e tillë: Flori godet Aranitin dhe e plagos për vdekje. Araniti ishte shok me 21 vjeçarin Daniel Pepa. Kur Danieli përballet me faktin, hap zjarr dhe qëllon Florin duke e plagosur për vdekje. Pas kësaj, ai u zhduk në drejtim të paditur dhe është ende në kërkim policor.
Dyshimet janë se Flori kishte konflikt të hershëm me Danielin, por elementë të tjerë nuk janë zbardhur nga hetimi.
Në veprimet e saj hetimore, policia ka thirrur disa persona që gjendeshin në lokal dhe rreth tij.
Raportohet se katër persona të dyshuar që janë shoqëruar nuk janë bashkëpunues për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë.
Minutat fatale
Sipas burimeve hetimore, gjithçka nisi në një lokal pranë një karburanti, ku 21-vjeçari Daniel Pepa dhe 23-vjeçari Arianit Kurti po pinin kafe.
Pepa i kërkoi kamarierit t’i bënte një kafe, por ky i fundit refuzoi pasi ekspresi ishte i fikur. Debati u ndez kur Danieli këmbënguli me tone fyese, duke i kërkuar kamarierit që ta ndizte makinerinë.
Në atë moment, në bisedë u përfshi Flori Paluçi, 33 vjeç, që ndodhej në tavolinë me kamarierin. Ai ndërhyri për ta mbrojtur, duke i thënë Pepës se nuk mund ta ofendonte një person që ishte në tavolinë me të.
Situata degradoi me shpejtësi. Debati verbal u kthye në konfrontim të armatosur. Sipas dinamikës paraprake të Policisë, i pari që ka qëlluar ka qenë Flori Paluçi, duke lënë të vdekur Arianit Kurtin, ndërsa më pas Daniel Pepa ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj Paluçit, i cili vdiq në vend.
Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë konfirmuar versionin e dëshmitarëve, ndërsa pesë persona që ndodheshin në lokal janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Durrësit, hetimet po përqendrohen në verifikimin e armëve të përdorura dhe origjinën e tyre, ndërsa Daniel Pepa po konsiderohet si autori kryesor i ngjarjes.
Kështu, një konflikt për një kafe mbylli tragjikisht jetën e dy të rinjve dhe tronditi qetësinë e qytetit të Manzës.
Çfarë tha në komunikatën zyrtare policia
Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Aranit Kurti

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





