Transmetuar më 22-10-2025, 19:10

“E kanë vrarë, nuk ka qenë aksident” – Kushëriri i ish-policit kërkon zbardhjen e vdekjes misterioze të Mirel Çokajt në Kelmend

Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për vdekjen e dyshimtë të 40-vjeçarit Mirel Çokaj, trupi i të cilit u gjet më 18 shtator 2025 në një humnerë në zonën malore të Kelmendit, në Malësinë e Madhe.

Fillimisht ngjarja u raportua si një rrëzim aksidental, por dyshimet e familjarëve kanë çuar në rihapjen e hetimeve dhe shqyrtimin e pistave të tjera, përfshirë atë të vrasjes së mundshme.

Ish-polici kërkon zbardhje nga SHBA

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se kërkesa për rihapjen e hetimeve është bërë nga Rifat Çokaj, kushëri i viktimës dhe ish-punonjës policie me eksperiencë, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rifati ka kërkuar që të analizohen sërish provat dhe të rishikohen të gjitha rrethanat e ngjarjes, duke argumentuar se versioni zyrtar i rrëzimit aksidental nuk përputhet me faktet dhe me të dhënat e mbledhura nga familja.

Dyshimet për përfshirje në kultivimin e kanabisit

Sipas familjarëve, Mirel Çokaj mund të ketë qenë i përfshirë në një aktivitet të paligjshëm të kultivimit të kanabisit, në një parcelë që ndodhej rreth një orë larg nga vendi ku u gjet trupi.

Policia, pas ngjarjes, ka konstatuar dhe asgjësuar 780 bimë narkotike të llojit cannabis sativa në atë zonë. Familja dyshon se një konflikt për ndarjen e fitimeve mes personave të përfshirë mund të ketë çuar në një përplasje fatale, e cila sipas tyre ka përfunduar me shtyrjen e Mirelit në humnerë.

Telefoni i zhdukur dhe itinerari i dyshimtë

Një tjetër detaj që ka ngjallur dyshime është zhdukja e telefonit të viktimës, i cili sipas familjarëve mund të jetë fshirë ose eliminuar qëllimisht për të fshehur komunikimet e fundit.

Gjithashtu, familja thekson se Çokaj nuk kishte planifikuar të udhëtonte atë ditë në zonën ku ndodhi ngjarja dhe se rruga që ai ka ndjekur ishte e pazakontë krahasuar me itinerarin që përdorte zakonisht.

Prokuroria e Shkodrës në veprim

Prokuroria e Shkodrës ka marrë në pyetje familjarët e viktimës dhe persona që kishin dijeni për aktivitetin me lëndë narkotike. Hetimet po vijojnë në disa pista, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore dhe aktet e reja pritet të ndihmojnë në përcaktimin nëse kemi të bëjmë me një aksident tragjik apo një vrasje të maskuar.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në zonën e Kelmendit, ku banorët kërkojnë transparencë dhe drejtësi për 40-vjeçarin që humbi jetën në rrethana ende të paqarta.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit