Transmetuar më 22-10-2025, 16:01

KOSOVA- Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm për Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), është shoqëruar me tensione mes përfaqësuesve të shteteve dhe palëve të përfshira. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ritheksuan qëndrimin e tyre se në Kosovë nuk ekziston më një kërcënim serioz për sigurinë dhe kërkuan mbylljen e misionit të UNMIK-ut. Ata gjithashtu mbështetën ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin në Banjskë në vitin 2023, ku mbeti i vrarë një oficer i Policisë së Kosovës.

Raporti vuri në dukje disa zhvillime pozitive, si mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe takimet e fundit mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE. Megjithatë, UNMIK dhe partnerët ndërkombëtarë shprehën shqetësim për vendimin e autoriteteve të Prishtinës për të mbyllur institucionet paralele serbe në veri të vendit.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, kritikoi ashpër raportin duke e cilësuar si “të anshëm dhe të paplotë”, dhe theksoi se Serbia paraqet kërcënimin e vërtetë për stabilitetin në rajon.

“Në Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare dhe lokale dhe u vlerësuan nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare si të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor, me angazhimin më të fortë pro-NATO dhe pro-BE në botë. Por ndërkohë, ne cdo ditë po shohim një makinë propagande nën kontrollin e Aleksandar Vuçic, e cila po helmon sistematikisht shoqërinë serbe dhe po e përgatit publikun për agresion kundër vendit tone. Serbia tregoi se ishte e gatshme për luftë dhe se njeriu që mori përgjegjësinë për sulmin e Banjskës, Milan Radojçic, ishte krahu i djathtë i Vuçicit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion mbi regjimin në Serbi, sepse nëse nuk ka pasoja, ata do ta përshkallëzojnë situatën edhe më tej”, shprehet Gërvalla.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuric e mbështeti nga ana tjetër raportin e UNMIK-ut si të balancuar dhe realist, ndërsa vlerësoi se të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë po përkeqësohen sistematikisht dhe se numri i incidenteve me motive etnike është rritur.

“Që nga koha kur Albin Kurti erdhi në pushtet, janë regjistruar 37 incidente kundër anëtarëve të komunitetit serb. Ky mohim sistematik i të drejtave nuk është vetëm një tragjedi serbe, por një dështim moral për të vepruar. Kurti po bën një spastrim të qetë etnik”, shprehet Marko Gjuriç, ministër i Jashtëm serb.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet, të përmbahen nga masat që do të çonin në përshkallëzim dhe të rikthehen në dialog.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit