Transmetuar më 22-10-2025, 07:56

TIRANË, 22 TETOR 2025 – Një raport i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë tregon se, ndonëse numri total i shtrimeve në spitale ka rënë me 3% për periudhën janar–gusht 2025, janë regjistruar rritje të ndjeshme në trajtimet për sëmundje kardiake dhe çrregullime psikiatrike – një sinjal alarmi për shëndetin e popullatës shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare, në repartet e kardiologjisë janë trajtuar 7,543 pacientë, krahasuar me 6,419 një vit më parë – një rritje prej 17.5%. Specialistët theksojnë se shkaktarët kryesorë lidhen me ndotjen e lartë, stilin e ulët të aktivitetit fizik, ushqyerjen e pabalancuar dhe plakjen e popullsisë.

“Më shumë pacientë po paraqiten në spitalet universitare dhe ato private me probleme kardiake, si në trajtime ambulatorë ashtu edhe në shtrime. Plakja e popullsisë, mungesa e stafit mjekësor në rrethe dhe diagnostikimet e vonuara po ndikojnë ndjeshëm në këtë trend,” shpjegon mjeku urgjentist Ilir Allkja.

Edhe shërbimet psikiatrike kanë pësuar rritje të ndjeshme. Vetëm gjatë periudhës janar–gusht 2025, në spitalet psikiatrike janë trajtuar 1,129 pacientë – një rritje prej 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Allkjas, shtimi i rasteve lidhet me mungesën e një strategjie kombëtare për trajtimin ambulator të personave që vuajnë nga varësia ndaj alkoolit dhe drogave.

“Varësitë nga alkooli, hashashi dhe drogat e forta janë kthyer në një problem serioz. Kjo ndikon drejtpërdrejt në dhunën në rrugë dhe familje. Trajtimi i këtyre personave duhet të konsiderohet emergjencë kombëtare nëse duam një shoqëri më të sigurt,” thekson mjeku.

Raporti thekson gjithashtu rritje në disa shërbime të tjera spitalore: numri i pacientëve që kanë marrë trajtim me dializë është rritur me 2.5%, ndërsa ndërhyrjet për katarakt (kirurgjia e syve) janë rritur me 15%.

Ndërkohë, depistimi për kancerin e gjirit është rritur me 61%, me 3,401 gra të kontrolluara në periudhën janar–gusht 2025. Në të kundërt, depistimi për kancerin e qafës së mitrës ka shënuar rënie me 32%.

Ekspertët paralajmërojnë se tendenca e rritjes së sëmundjeve të zemrës dhe atyre mendore tregon një krizë të re shëndetësore që lidhet ngushtë me stilin e jetesës moderne, stresin e përditshëm dhe mungesën e kujdesit parandalues.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit