

Kosovë, 21 tetor 2025
Kosova është bërë vendi i parë në rajon që ka ofruar të pranojë azilkërkuesit e refuzuar nga Britania, si pjesë e planit të kryeministrit britanik Keir Starmer për ngritjen e “qendrave të kthimit” të emigrantëve.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me Londrën, në këmbim të mbështetjes për forcimin e sigurisë kombëtare ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia. “Ne duam të ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar dhe presim që kjo ndihmë të shoqërohet me investime për sigurinë tonë”, tha Kurti.
Ky zhvillim e bën Kosovën vendin e parë që shpreh publikisht interes për planin britanik, ndërsa bisedimet me zyrtarët britanikë janë tashmë në proces.
Nga ana tjetër, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, është shprehur se do të pranojë një marrëveshje të tillë vetëm nëse Britania investon të paktën 8 miliardë euro në infrastrukturën hekurudhore të vendit.
Në të kundërt, Shqipëria mbetet e vendosur në refuzimin e saj. Kryeministri Edi Rama deklaroi sërish: “Kur bëhet fjalë për qendrat, ose sido që të quhen ato, e kam thënë dhe e përsëris – kurrë në Shqipëri.”
Ndërkohë, presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës ka bërë të qartë se nuk ka “asnjë qëllim apo gatishmëri” për të pranuar azilkërkues të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





