Transmetuar më 21-10-2025, 20:11

Nga 1 Janari 2026, rriten çmimet e pronave – Ja harta e re në 12 qarqe të vendit: Bregdeti, mbi 2 mijë euro për metër katror

Nga fillimi i vitit 2026, pronat në Shqipëri do të kushtojnë më shumë. Ministria e Financave ka përgatitur projektligjin e ri që përcakton çmimet e reja të referencës për shitblerjen e pasurive të paluajtshme në të gjitha qarqet e vendit, përveç Bashkisë Tiranë. Drafti pritet të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare përpara miratimit përfundimtar dhe hyrjes në fuqi.

Çmimet e reja për çdo qark

Sipas projektit, Shkodra mbetet qarku më i lirë, me çmime që variojnë nga 10.500 lekë/m² në Fushë-Arrëz deri në 75.000 lekë/m² në qytetin e Shkodrës.

Në Gjirokastër, vlerat nisin nga 17.000 lekë/m² në Memaliaj dhe arrijnë deri në 63.000 lekë/m² në kryeqendrën e qarkut.

Në Berat, çmimi minimal është 26.000 lekë/m² në Skrapar, ndërsa më i larti 55.000 lekë/m² në Berat.

Në Fier, një banesë mund të blihet me 32.000 lekë/m² në Patos, ndërsa maksimumi arrin 62.000 lekë/m² në qytetin e Fierit.

Në Korçë, Kolonja mban çmimin më të ulët me 31.300 lekë/m², ndërsa në zonën e parë të bashkisë Korçë çmimi arrin 70.000 lekë/m².

Në Kukës, vlerat variojnë nga 32.000 lekë/m² në Bajram Curri deri në 58.000 lekë/m² në Kukës.

Në Lezhë, çmimi më i ulët është 36.000 lekë/m² në Milot, ndërsa më i larti 70.000 lekë/m² në Shëngjin.

Në Dibër, çmimet luhaten nga 40.000 lekë/m² në Klos deri në 52.000 lekë/m² në Peshkopi.

Në Elbasan, nga 40.000 lekë/m² në Belsh deri në 60.000 lekë/m² në qytetin e Elbasanit.

Në Durrës, çmimet variojnë nga 43.000 lekë/m² në Shijak deri në 200.000 lekë/m² në zonën 13 të qytetit, duke e bërë një nga zonat më të shtrenjta të vendit.

Në Vlorë, çmimet nisin nga 31.000 lekë/m² në Finiq dhe shkojnë deri në 200.000 lekë/m² në zonën 7 të qytetit, që përfshin edhe ishullin e Sazanit.

Ndërsa në qarkun Tiranë, për bashkitë jashtë kryeqytetit, çmimet luhaten nga 46.000 lekë/m² në Rrogozhinë deri në 75.000 lekë/m² në Kamëz. Brenda qytetit të Tiranës, vlerat aktuale mbeten deri në 228.000 lekë/m² në njësinë nr. 5.

Si janë llogaritur çmimet

Metodologjia e re mbështetet në të dhënat e shitblerjeve të katër viteve të fundit, në pozicionin gjeografik dhe sistemin urban të çdo zone, duke marrë në konsideratë edhe prirjet e ardhshme të tregut imobiliar. Çmimet janë ndarë sipas kategorive të pasurisë: apartamente, shtëpi, njësi tregtare, garazhe dhe bodrume.

Çmime më të larta për njësitë tregtare

Çmimi për njësitë tregtare, shërbimi apo prodhimi është 1.5 herë më i lartë se çmimi referues i zonës përkatëse, ndërsa në Tiranë ky raport është dyfish. Për më tepër, Këshillat Bashkiake do të kenë të drejtë të ndryshojnë çmimet e referencës me ±30% nga vlerat e përcaktuara nga Ministria e Financave.

Në përfundim, nga 1 janari 2026 pritet që blerja e një prone në Shqipëri të bëhet më e kushtueshme, veçanërisht në zonat bregdetare ku çmimet kalojnë kufirin e 2 mijë eurove për metër katror, duke e pozicionuar tregun imobiliar shqiptar gjithnjë e më afër atij rajonal.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit