

Tiranë- Euro ka pësuar rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun ditën e martë, duke prekur një minimum të ri historik.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 96.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kursi i këmbimit vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore, me 2.2% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e Euros, ndërsa kërkesa për blerje është e dobët. Kjo ka sjellë rënie të mëtejshme të nivelit të kursit dhe sidomos të çmimit në shitje të ofruar nga bankat.
Burimi i prurjeve valutore është i vështirë të identifikohet në kohë reale. Hipotezat kryesore ngelen prurjet e lidhura me turizmin dhe me investimin në pasuri të paluajtshme.
Në treg ngelet sidoqoftë i fortë perceptimi për ndikimin e lartë edhe të prurjeve informale të valutës.
As blerjet e vazhdueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë nuk e kanë frenuar dot rënien e mëtejshme të Euros. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij vitit blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro.
Këto shifra tregojnë qartë për ofertën e lartë të Euros në tregun valutor. Në mungesë të blerjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit të monedhës europiane do të ishte në nivele edhe më të ulëta.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





