Transmetuar më 21-10-2025, 16:58

KENT, 21 TETOR 2025 – Në thellësitë e Margate, një qytet bregdetar në juglindje të Anglisë, ndodhet një nga misteret më intriguese të vendit: “Shell Grotto”. Kjo vepër enigmatike nën tokë, e zbuluar rastësisht në vitin 1835, mbetet një mister që prej më shumë se 180 vitesh. Muret e saj janë të mbuluara me rreth 4.6 milionë guaska, midhje dhe molusqe deti, që formojnë mozaikë të mrekullueshëm me simbole, figura dhe modele që askush nuk ka arritur t’i deshifrojë plotësisht.

Ende sot nuk dihet kush e ndërtoi apo për çfarë qëllimi. Disa studiues mendojnë se Shell Grotto ka qenë një vend adhurimi i lashtë, të tjerë besojnë se shërbente si qendër ritualesh për një sekt sekret, ndërsa disa historianë sugjerojnë se mund të ketë qenë një krijim luksoz i ndonjë aristokrati në shekullin XVIII.

Referenca e parë për ekzistencën e saj gjendet në gazetën “Kentish Gazette” të datës 22 maj 1838, e cila njoftonte hapjen e grotës për publikun. Sipas rrëfimit, gjatë punimeve në pronën “Belle Vue Cottage”, punëtorët hasën një gur të madh gjatë gërmimeve. Pasi e hoqën, zbuluan hyrjen e një tuneli të zbukuruar plotësisht me guaska.

Muret e grotës përmbajnë lloje të ndryshme guaskash, nga ato vendase deri te konkat mbretërore të sjella nga Karaibet. Brenda saj, vizitorët mund të shohin figura që ngjasojnë me pemën e jetës, hyjni mashkullore e femërore, si dhe forma të tjera të mbushura me simbolikë e mister. Në një nga dhomat ndodhet edhe një strukturë që njihet si “altari”.

Megjithëse për gati një shekull grota u ndriçua me llamba gazi që i jepnin një atmosferë magjike, tymi ka lënë pas shtresa karboni që kanë errësuar ngjyrat e guaskave. Për shkak të lagështisë së lartë, pastrimi i tyre mbetet i vështirë, pasi mund të dëmtojë mozaikët delikatë.

Pyetja më e madhe që mbetet pa përgjigje është: si është e mundur që një ndërtim i tillë, që kërkonte vite pune dhe miliona guaska, të ketë kaluar pa u dokumentuar në asnjë burim historik? Për historianët dhe vizitorët, Shell Grotto mbetet një nga enigmat më të bukura e më të pazgjidhura të Mbretërisë së Bashkuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit