Transmetuar më 21-10-2025, 16:52

LONDËR, 21 TETOR 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se vendi mund të shkojë sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme, nëse partia e tij “Lëvizja Vetëvendosje” nuk arrin të formojë qeverinë e re. Duke folur në një takim me diasporën në Londër të martën, Kurti tha se po vazhdojnë diskutimet, por pa dhënë hollësi për partitë ose deputetët me të cilët po negociohet.

Kurti u mandatua më 11 tetor nga presidentja Vjosa Osmani për të formuar qeverinë e re dhe, sipas ligjit, ai ka në dispozicion 15 ditë për ta bërë këtë. Afati i tij përfundon më 26 tetor.

“Nuk është e lehtë, sepse, s’di si t’jua shpjegoj… ndoshta e keni dëgjuar edhe vetë, atmosfera është shumë e intoksikuar, ka shumë xhelozi, inat e cinizëm, më shumë se ide, punë e pasion. Por jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë. Megjithatë, siç duket, alternativa është që do të shkojmë në zgjedhje prapë,” deklaroi Kurti.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme dhe tashmë ndodhet nën presion për të gjetur mbështetje në Kuvend. Partia ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila doli e dyta, por ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Nëse Kurti nuk arrin të formojë qeverinë deri më 26 tetor, presidentja Osmani do të ketë 10 ditë kohë për të thirrur partitë në konsultim dhe për t’ia dhënë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon shumicën parlamentare. Osmani tha të hënën se ende ka kohë për të arritur një marrëveshje, duke akuzuar njëkohësisht Listën Serbe për pengesa politike.

Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë – ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së Nenad Rashiç si nënkryetar i Kuvendit, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe rregulloreve të brendshme. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ankesa pranohet, procesi i konstituimit të Kuvendit mund të nisë nga e para, duke thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit