Transmetuar më 21-10-2025, 15:40

Tiranë – Egla Ceno dënohet me 1 milion lekë gjobë pas padisë së Saimir Kodrës për shpifje

Gjykata Penale e Tiranës ka shpallur vendimin për çështjen mes aktores Egla Ceno dhe moderatorit të emisionit “Stop”, Saimir Kodra. Sipas vendimit të dhënë mesditën e sotme, Ceno u shpall fajtore për veprën penale të “Shpifjes” dhe u dënua me 1 milion lekë të vjetra gjobë.

Procesi gjyqësor nisi pas një interviste të aktores në një “podcast”, ku ajo deklaroi se ishte ngacmuar seksualisht nga një moderator televiziv. Pas publikimit të deklaratës, Saimir Kodra reagoi publikisht duke sqaruar se ndjehej i prekur dhe se do t’i drejtohej gjykatës për mbrojtjen e reputacionit të tij.

Në seancat gjyqësore, Egla Ceno ndryshoi disa herë qëndrimin e saj. Fillimisht u shpreh se kishte frikë të paraqitej në gjykatë, më pas argumentoi se nuk kishte përmendur emrin e plotë të moderatorit, por vetëm mbiemrin “Kodra”.

Në një fazë të mëvonshme, ajo sqaroi se deklaratat e saj nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me Saimir Kodrën, por ishin pjesë e një “mesazhi simbolik” për gratë që përjetojnë abuzim seksual.

Megjithatë, gjykata vlerësoi se deklaratat e bëra publikisht kishin dëmtuar reputacionin e moderatorit dhe e shpalli Cenon fajtore për shpifje, duke urdhëruar pagesën e gjobës prej 1 milion lekësh të vjetra.

Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.

Më herët, Saimir Kodra e kishte sulmuar Egla Cenon duke e konsideruar aktore të dobët: "E vetmja përgjigje që kam ndaj kësaj aktoreje të dobët, e këtij skenari po aq të dobët të ndërtuar, është se do i përgjigjet ajo vetë në Gjykatë. Kjo deklaratë e saj është në Gjykatën Penale. Ceno ka barrën e provës që të vërtetojë që këtu e 25 vite më parë i paskam kërkuar afera seksuale në këmbim të një vendi pune. Kësaj zonjës dhe aktoreje të dobët, pas 25 vitesh i del detyra që ta vërtetojë në Gjykatë. Kam qenë dhe do të jem krah femrave që dhunohen, molestohen, me fakte dhe me prova si gjithmonë. Unë s’di të kem punuar ndonjëherë as shefi i burimeve njerëzore që të punësoja njerëz, as recepsionist. Kam qenë moderator i thjeshtë i një emisioni që quhej “Radio Mania”. Është vënë në mes dinjiteti njerëzor. Kjo është një çështje penale për zonjën, por edhe për televizionin ku ajo e ka thënë atë deklaratë".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit