

Tiranë, 21 Tetor 2025 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar SPAK-un të nisë hetimet ndaj kryebashkiakes së Lushnjës, Eriselda Sefa, pas ankimimit të një qytetari për kallëzim në lidhje me falsifikim dokumentash dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Nga data 30 shtator 2025, kryebashkiakja socialiste ndodhet nën hetim mbi bazën e një kallëzimi të ngritur nga shtetasi me inicialet A.H., i cili pretendon shkelje në procedurën e dhënies me qira të një prone publike në qendër të Lushnjës. Sipas tij, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga Sefa dhe Këshilli Bashkiak i qytetit.
Kallëzimi përfshin pretendime për falsifikime në dokumentacionin zyrtar, procesverbale dëgjimesh publike dhe projektin për miratimin e dhënies me qira të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.
Ndërsa SPAK më parë kishte pushuar çështjen, duke marrë miratimin edhe të Gjykatës së Shkallës së Parë, qytetari A.H. ka kërkuar apelimin e vendimit, duke detyruar Gjykatën e Apelit të ndryshojë vendimin dhe të urdhërojë nisjen e hetimeve.
Njoftimi i Gjykatës: Më 30 shtator 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në përbërje të gjyqtares Miliana Muça, shpalli vendimin për ankimin e A.H., duke ndryshuar vendimin e mëparshëm dhe duke urdhëruar SPAK-un të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetime. Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, më datë 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 02.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit A.H., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal datë 24.04.2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me kallëzimin penal nr. 81, datë 14.04.2025” dhe vendosi:
– Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





