Transmetuar më 21-10-2025, 11:47

Arrestohet në Abu Dhabi shqiptari Altin Sinomati, i dyshuar si porositësi i atentatit ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci

Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë arrestuar në Abu Dhabi 38-vjeçarin shqiptar Altin Sinomati, i cili ishte në arrati nga drejtësia italiane dhe konsiderohet një nga figurat kyçe të krimit të organizuar që vepron në Itali.

Sipas gazetës italiane La Repubblica, Sinomati akuzohet si porositësi i vrasjes së Selavdi Shehaj, i njohur me nofkën “Passerotto”, i ekzekutuar më 20 shtator 2020 në plazhin e mbushur me pushues të Torvaianicës, pranë Romës. Për këtë krim, ekzekutuesi Raul Esteban Calderon është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa bashkëpunëtori Giuseppe Molisso është dënuar për pjesëmarrje në vrasje.

Hetimet zbuluan se Sinomati kishte paguar 150 mijë euro Calderon-it për ekzekutimin e Shehajt, i cili besohet të ketë qenë pjesë e një konflikti të brendshëm në rrjetet e trafikut të drogës. Calderon është gjithashtu i dënuar me burgim të përjetshëm edhe për vrasjen e famëkeqit ultras Fabrizio Piscitelli (Diabolik), kryetar i grupit të tifozëve të “Lazio”-s.

Lidhja me atentatin ndaj gazetarit Ranucci

Plazhi ku u vra Shehaj ndodhet vetëm 100 metra larg banesës së gazetarit Sigfrido Ranucci, autor i emisionit investigativ “Report” në Rai 3. Më 16 tetor 2025 ndaj tij u tentua një atentat, dhe një nga pistat e hetimit e lidh këtë ngjarje me krimin e organizuar shqiptar që vepron në rajonin e Romës.

Ranucci, në një intervistë për “La Repubblica”, ka përmendur lidhjet e mundshme mes atentatit dhe botës së krimit që ai ka hetuar gjatë viteve, përfshirë grupet shqiptare të trafikut të drogës dhe lidhjet e tyre me botën e ultrasve italianë. “Nuk janë shumë njerëz që mund të ndërmarrin veprime të tilla,” – ka deklaruar ai, duke theksuar rrezikun që paraqet ndërthurja mes krimit dhe futbollit ekstremist.

Rrjeti kriminal dhe arratisja

Sinomati është gjithashtu nën hetim në një tjetër dosje të madhe penale që përfshin furnizimin me kokainë të një organizate kriminale që vepronte në Romë, të drejtuar nga Giuseppe Molisso dhe Leandro Bennato. Ky grup u shkatërrua më 18 mars 2025 në një operacion të përbashkët të policisë italiane dhe njësisë speciale SCO.

Pas këtij operacioni, Sinomati arriti të largohej nga Italia dhe u fsheh në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u arrestua dhjetë ditë më parë.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ai ka pasur rol të drejtpërdrejtë në organizimin e atentatit të dështuar ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, i cili prej vitesh trajton në “Report” çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Itali.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit