

Apeli i Posaçëm lë në fuqi arrestin për Sabah Nuzin, ekzekutuesin e dyshuar të Klevis Lleshit për 50 mijë euro
Apeli i Posaçëm ka marrë sot vendimin për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Sabah Nuzin, i akuzuar për vrasjen e 22-vjeçarit Klevis Lleshi në vitin 2020. Vendimi vjen pas ankimit të bërë ndaj masës së caktuar më herët nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Sabah Nuzi u arrestua në shtator të këtij viti pas hetimeve të SPAK, që çuan në zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Sipas prokurorisë, ai është ekzekutuesi i paguar nga Aurel Hoxha, i njohur me pseudonimin “Kolaveri”, për një shumë prej 50 mijë eurosh.
Në kuadër të hetimeve u vunë në pranga edhe Samet Loka dhe Sajmir Kolaveri, ndërsa Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit, vijon të jetë në kërkim si porositësi i dyshuar i krimit. Sipas SPAK, motivi i vrasjes lidhet me hakmarrjen për vrasjen e të vëllait të Hoxhës, Agim Hoxha, në Angli në vitin 2012.
Të arrestuarit akuzohen për “vrasje për gjakmarrje”, “fshehje ose asgjësim kufome”, “pastrim i produkteve të veprës penale”, si dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Hetimet zbuluan se Klevis Lleshi ishte zhdukur në gusht 2020, ndërsa trupi i tij u gjet dy vite më vonë, i groposur në një zonë të fshatit Shpërdhet të Kurbinit. Identifikimi u bë në shkurt 2023, pas analizës së ADN-së të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore.
SPAK arriti të zbardhë ngjarjen pas analizës së komunikimeve të përgjuara në aplikacionin e koduar Sky ECC, që u përdor nga grupet kriminale për të koordinuar ekzekutimin. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





