

Drejtoresha artistike e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, Elhaida Dani, ka ndarë për publikun vizionin e saj për edicionin e këtij viti, që mban temën “Neo Albanian Future”. Në një intervistë për RTSH, ajo foli për rrugëtimin e saj artistik, sfidat, vetminë dhe përkushtimin që e kanë formuar si artiste, duke theksuar se dashuria për muzikën ka qenë forca që e ka mbajtur gjithmonë në rrugën e saj.
“Kam marrë shumë nga Italia, më pas nga Franca dhe producentët e huaj me të cilët kam bashkëpunuar. Jam dedikuar 1.000%, sepse publiku të sheh vetëm një herë në skenë dhe ajo mbetet kujtesë përjetë. Vetmia është e vështirë, por dashuria për muzikën më ka bërë të vazhdoj — ia vlen çdo sakrificë,” – tha Dani.
Elhaida rrëfeu se mori përsipër drejtimin artistik të festivalit si një sfidë të madhe profesionale, pavarësisht pasigurive fillestare. Ajo theksoi se asnjë artist nuk duhet të presë të ndihet “gati” për të ndërmarrë hapa të mëdhenj, por të ketë guximin të përballet me sfidat.
“Gjithmonë marr sfida kur mendoj se nuk jam gati, sepse po të mendoja shumë, s’do bëja asgjë. Kam mësuar pafund nga ky institucion dhe nga emra të mëdhenj si Shpëtim Saraçi e Alfred Kaçinari.”
“Neo Albanian Future”: një Shqipëri moderne që nuk harron rrënjët
Koncepti i këtij edicioni, “Neo Albanian Future”, përfaqëson një Shqipëri që ecën drejt së ardhmes pa harruar identitetin dhe trashëgiminë e saj. Dani shpjegoi se qëllimi është të ruhet autenticiteti i muzikës shqiptare, duke e përzier me rrymat bashkëkohore që reflektojnë realitetin e sotëm artistik.
“Vizioni im është që të mos humbasim autenticitetin, të mos kopjojmë, por të rritemi. Këtë vit janë dorëzuar 118 këngë – shumica moderne, por me ndikime folk. Kjo tregon se artistët po i rikthejnë festivalit frymën e tij origjinale,” – tha ajo.
Një festival me orkestër live dhe mozaik muzikor
Sipas saj, përzgjedhja e këngëve është bërë me shumë kujdes për të krijuar një mozaik të pasur zhanresh – pop, rock, folk – që do të ndërthuren artistikisht me Orkestrën Simfonike live, një nga elementët që e bëjnë festivalin unik në rajon.
“Këtë vit ‘Neo Albanian Future’ do të tregojë shqiptarët që ia dalin këtu, pa qenë nevoja të ikin jashtë. Juria ka bërë një përzgjedhje të shkëlqyer dhe orkestrimi live do t’i japë festivalit një dimension të ri.”
Festivali i Këngës 64 premton të jetë një udhëtim emocional që ndërthur trashëgiminë shqiptare me energjinë e së ardhmes – një vizion që Elhaida Dani e përkufizon si muzikë që rrënjoset në traditë, por frymon në modernitet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





