

Tiranë, 20 tetor 2025 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, ndodhet në terapi intensive në gjendje shumë të rëndë, pas një arresti kardiopulmonar.
Burime zyrtare nga spitali “Hygeia” në Tiranë konfirmuan për noa.al se 73-vjeçari është i hospitalizuar prej disa ditësh, nën kujdesin e një ekipi të posaçëm mjekësh.
Gjendja e tij cilësohet shumë e rëndë, me prognozë po ashtu të rëndë, ndërsa mjekët po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për stabilizimin e parametrave jetësorë.
"Pacienti ka disa ditë që është i hospitalizuar në terapinë intensive, në gjendje të rëndë pas një arresti kardiopulmonar. Aktualisht, pacienti konsiderohet në gjendje shumë të rëndë dhe me prognozë shumë të rëndë", informoi zyrtarja e rrjetit spitalor në një përgjigje për noa.al.
Nano, që prej disa vitesh përballet me probleme kronike të mushkërive, është trajtuar herë pas here në institucione shëndetësore brenda dhe jashtë vendit.
Fatos Nano ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90, duke shërbyer disa herë si kryeministër dhe duke qenë themeluesi dhe kryetari i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, pas transformimit të Partisë së Punës.
Familjarët dhe të afërmit po mbajnë diskrecion lidhur me detajet e mëtejshme, ndërsa gjendja e tij po monitorohet nga afër nga mjekët e repartit të kujdesit intensiv.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





