

Taksa e pronës shtyhet deri në vitin 2028, por çmimet e pronave rriten ndjeshëm nga janari 2026 – ja si ndryshojnë vlerat në çdo qark
Taksa e pronës nuk do të ndryshojë për dy vitet e ardhshme. Ministria e Financave ka njoftuar se po rishikon ligjin që parashikonte rritjen e kësaj takse nga viti 2026, ndërsa zbatimi i skemës së re do të nisë në vitin 2028. Vendimi vjen pas nevojës për të ndërtuar një sistem të ri taksimi të bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, i cili kërkon kohë dhe harmonizim me të dhënat kadastrale dhe fiskale.
Zbatimi i taksës së re nga viti 2028
Projektligji që po përgatitet nga Ministria e Financave do të rrëzojë përkohësisht propozimin e vitit 2023, që parashikonte rritjen e nivelit të taksës nga 0.05% në 0.1%-0.2% për banesat rezidenciale dhe nga 0.15%-0.25% për ndërtesat tregtare dhe industriale.
Megjithatë, drafti i ri nuk pritet të ndryshojë koeficientët e përcaktuar më herët për ndërtesat, truallin dhe tokën bujqësore.
Qëllimi është të kalohet nga sistemi aktual i taksimit – i bazuar në sipërfaqe dhe çmime referencë, në një sistem të bazuar në vlerën reale të tregut, ku ndërtesa dhe toka do të trajtohen së bashku në vlerësim.
Rritje e fortë e çmimeve të pronave nga janari 2026
Nga 1 janari 2026 do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës për apartamentet, shtëpitë dhe njësitë tregtare në të gjithë vendin.
Sipas projektit të Ministrisë së Financave, çmimet do të arrijnë deri në 200.000 lekë për metër katror, sidomos në zonat bregdetare dhe turistike si Vlora dhe Durrësi, ku tregu po përjeton rritje të ndjeshme.
Në qarkun e Durrësit, ndryshimi më i madh parashikohet në zonën kadastrale nr. 13, që përkon me zonën e portit ku po zhvillohet projekti “Durrës Yachts Marina”.
Çmimi i referencës për shitblerjen e apartamenteve në këtë zonë do të rritet nga 67.500 lekë në 200.000 lekë për m², një rritje prej 196%.
Kjo do të ketë ndikim direkt edhe në taksën e ndërtesës:
Një familje me një apartament 60 m² në këtë zonë do të kalojë nga 2.025 lekë në vit (168 lekë/muaj) në 6.000 lekë në vit (500 lekë/muaj).
Për bizneset me ambiente tregtare 90 m², detyrimi do të rritet nga 12.150 lekë në vit në 36.000 lekë në vit.
Rritje e ndjeshme edhe në Kamëz dhe Vlorë
Në Bashkinë Kamëz, çmimi i referencës për apartamentet do të kalojë nga 52.000 lekë/m² në 72.000 lekë/m², me një rritje prej 44%.
Për një familje me një banesë 60 m², taksa e ndërtesës do të rritet nga 1.560 lekë në vit (130 lekë/muaj) në 2.250 lekë në vit (187 lekë/muaj).
Për një biznes me një njësi tregtare 90 m², detyrimi do të shkojë nga 9.360 lekë në vit në 13.500 lekë në vit.
Në Vlorë, nga 61.800 lekë/m² në vitin 2019, çmimet do të rriten deri në 140.000 lekë/m² në zonat urbane dhe 200.000 lekë/m² në ishullin e Sazanit.
Rritja për këtë qark llogaritet deri në 58.6% krahasuar me vitin 2019.
Kështu, një familje me një apartament 60 m² në zonën kadastrale nr. 1 të Vlorës do të paguajë taksë 2.940 lekë në vit (245 lekë/muaj) nga 154 lekë/muaj aktualisht, ndërsa për bizneset detyrimi do të kalojë nga 11.124 lekë në 17.640 lekë në vit.
Ekspertët: Rritje e çmimeve, por sfida në mbledhjen e taksave
Pedagogia dhe ekspertja e ekonomisë Merita Toska, thotë se ndryshimet pasqyrojnë rritjen e kërkesës në zonat urbane dhe bregdetare: “Në Tiranë, Durrës dhe Vlorë kërkesa për prona është e pandalshme, ndërsa në bashkitë periferike mbetet shumë e ulët.”
Ajo e vlerëson rritjen e zonave kadastrale nga 65 në 119 si një hap drejt vlerësimit më të saktë të pronave, por paralajmëron se taksimi mbi bazën e çmimeve të tregut është aktualisht i vështirë për t’u zbatuar, për shkak të mungesës së një kadasre fiskale të përditësuar.
“Nëse do të përdornim çmimet reale të tregut, do të duhej një sistem që përditëson vlerat e pronave në mënyrë të vazhdueshme — diçka që kërkon infrastrukturë të sofistikuar dhe burime të mëdha njerëzore,” – thekson Toska.
Të ardhurat aktuale nga taksa e pronës, vetëm 0.5% e PBB-së
Sot, të ardhurat nga taksa e pronës për 61 bashkitë e vendit përbëjnë vetëm 0.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shumë larg objektivit të strategjisë së decentralizimit fiskal.
Sipas ekspertes Toska, edhe pse taksa e pronës është burim i rëndësishëm për financat vendore, problemi kryesor mbetet mbledhja efektive te konsumatori fundor.
Çfarë pritet më tej
Nga 1 janari 2026, do të hyjnë në fuqi:
Çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme,
Taksa e reduktuar e tatimit mbi fitimin nga shitja e pasurive (nga 15% në 5%), ndërsa taksimi i ri i pronës do të nisë në vitin 2028, pas përgatitjes së plotë të infrastrukturës fiskale dhe akteve nënligjore për zbatimin e tij. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





